A do të ishte bota e pakuptueshme nëse nuk do të ekzistonin ata që duam dhe na duan?

Nga: Agim Baçi

(Shënime për romanin “Njëqind vjet vetmi” të Gabriel Garsia Markezit)

Të udhëtosh për në askund dhe të jesh gjithkund. Këtë fuqi ka Makondo, fshati i Hose Arkadio Buendias dhe Ursulës, që rrotullohet lehtësisht mes të gjallëve dhe të vdekurve, pa asnjë vijë ndarëse në mes, a thua se nuk ekziston më asgjë e ndërmjetme përveç rolit që luajnë qepallat në hapjen dhe mbylljen e tyre.

Sëmundja e pagjumësisë, frika nga humbja e kujtesës, profecitë e Nostradamusit, lojrat me shpikjet të Melhiadesit dhe fisit të tij shëtitës, thesi me kocakt e të vdekurve që qëndron në krah të të gjallëve dhe gëzimeve të tyre, beteja për të mos pranuar gjykimin, lufta dhe dashuritë – të gjitha këto krijojnë thuajse gjithë hartën e ndjesive të botës. Dhe Gabriel Garsia Markez ka mundur të ndërtojë një rrugëtim me fjalë përmes botës reale dhe trillit, mes ëndrrës dhe realitetit, mes jetës dhe vdekjes.

Përsëritja e të njëjtave emra në familjen Buendia dhe të themeluesve të tjerë të Makondos të jep ndjesinë e përpjekjes për të pikturuar një përsëritje të të gjithë botës. Edhe pse kohët ndryshojnë, edhe pse e reja ka gjithnjë sensin e tërheqejes së pazakontë, edhe pse beteja me pushtetin do të jetë bashkëudhëtare, njeriu vijon të mbetet i lidhur me origjinën e tij, me të shkuarën e tij, ashtu siç përsëriten nga familja Beundia Hozetë e Aurelianot, a thua se pavarësisht hapave, pavarësisht nga më intimja e deri më e përgjithshmja, nga paqja e lufta, sërish veç pak gjëra ndryshojnë.

Dhe mjafton veçse pak meditim për të kuptuar se nuk ka asgjë as të vjetër e as të re tek ankthet e Rebekës dhe Amarantës, e as tek “terapia qetësuese” e Pilar Terenës. Bota rrotullohet njëlloj rreth brengës dhe rreth ankthit tonë se ndoshta nuk do mundemi dot ta rrokim në çastin e duhur atë ndjesi që na ka mbetur si flutur në stomak e që nga çasti në çast mund të bëhet e pakapshme.“…

Nuk u ngrit nga krevati. E mbështetur në jastëkë sikur të ishte vërtet e sëmurë, i thuri flokët me dy gërsheta të gjata dhe i lidhur kaluar te veshët, ashtu siç duhej të shtrihej në arkivol sipas udhëzimeve që i pat dhënë Vdekja. Pastaj iu lut Ursulës t’i jepte një pasqyrë dhe, për herë të parë pas dyzet vjetësh, e pa fytyrën e vet të shkretuar nga mosha e nga vuajtjet dhe u çudit se sa fort i ngjante përfytyrimit që kishte për vetveten. Nga qetësia e thellë që pat rënë në dhomën e Amarantës, Ursula nxori përfundimin se po binte muzgu”. (Gabriel Garsia Markez, “Njëqind vjet vetmi”).

Parakalimi i ngjarjeve të pafund përpara Ursulës me të njëjtat emra që përsëriten përpara saj, me ngjarje që kanë në thelb njohjen dhe dashurinë, jep portretin e kohës që ndalet brenda njeriut. Ndaj Ursula nuk ka nevojë as të rrëfejë për verbërinë e saj, pasi askush nuk arrin ta kuptojë, pasi koha e saj është koha që ka ndalur te ajo që njeriu ka shfaqur pavarësisht vendit dhe shekullit që la ardhur në këtë botë.

Ndërkohë, realiteti që vjen përballë Makondos për ndryshimet dhe luftrat, nuk është veçse përditshmëria që kërkon një përgjigje nga gjithkush prej nesh. Dhe Makondo është fshat i duhur për të patur dhe njohur ata që na duhet, por pa harruar se duhet të ngresh sytë e të shohësh pak përtej, atje ku jetojnë “edhe të tjerë”, të cilët duhet t’i mendosh, që duhet t’i njohësh e t’i duash. Kur e rilexon librin, Makondo në një çast i ngjason botës përpara internetit, përpara komunikimeve online, ku dilemat për atë që bart nga kohërat ka pikëpyetjet e veta. Katastrofa që vjen për zhdukjen e Makondos, në fund të rrëfimit, nuk është veçse frika nëse gjërat e përhershme mund të ekzistojnë gjithmonë brenda nesh, përmes forcës që kemi për të imagjinuar.

Përmes rrëfimit në romanin “Njëqind vjet vetmi”, Markez ka sjellë gjithë botën dhe rebelimin, fillesën dhe të ardhmen- ne veçse duhet ta lexojmë për të kuptuar nevojën e “fshatit” tonë, që nuk është veçse fshati me ata që duam dhe na duan. Dhe i gjithë rrëfimi i Markezit duket sikur na pyet me shumë forcë: a nuk do ishte për të gjithnë ne më e vogël dhe pakuptueshme bota nëse nuk do të ekzistonin ata që duam dhe na duan? A do arrinim të gjenim motive të vërteta kënaqësie në këtë botë nëse nuk do të ekzistonin miqtë?

ObserverKult

Lexo edhe:

AGIM BAÇI: TË SHOHËSH DASHURINË NGA XHELOZIA
AGIM BAÇI: “TË THEM DIÇKA BABI? – TI NUK E KUPTON FARE BREZIN TIM!”