Ajo di të dashurojë…për ty ajo do të bëjë gjithçka!

Sërish heshti. Ecëm përgjatë një blloku a më shumë në qetësi dhe kur arritëm në një rrugë të errët e të çuditshme, ma shtrëngoi krahun fort dhe pëshpëriti: “Eja këtej”. E lashë të më printe kah rruga e errët. Zëri i saj u bë më i ngjirur, ndërsa fjalët nxitonin të dilnin rrëmujshëm prej gojës së saj.

Tani s’më kujtohet asgjë nga ato që ka thënë, besoj se edhe ajo vetë nuk i kujton, kur nga buzët e saj ia pati përmbytja.

Fliste me egërsi, si e xhindosur, kundër një fatalitetit të mbipushtetshëm. Kushdo që të ishte, nuk kishte më emër. Ishte vetëm një grua, e mavijosur, e lodhur, e thyer, një krijesë që rrihte krahët e saj të pandihmë në terr.

Ajo nuk po i drejtohej askujt, aq më pak mua\ as me veten nuk po fliste, as me Zotin. Ishte veç një një plagë llafazane që kishte gjetur një zë dhe në terr plaga dukej sikur hapej dhe krijonte një hapësirë rreth vetes, në të cilën do të gjakoste pa drojë a poshtërim.

Gjithë kohën më rrokte krahun, si të donte të vërtetonte praninë time, e shtypte me gishtat e saj të fortë, sikur prekja e tyre do të sillte atë kuptim që fjalët e saj tashmë nuk e kishin. Mu në mes të këtij belbëzimi gjakrrjedhës, ajo ndaloi fare,-“Hidhi krahët rreth meje”,-m’u lut ajo.-“Më puth, më puth ashtu si në taksi”.

Ishim pranë portës së një vile të stërmadhe, të braktisur. E ngrita lart për nga muri dhe e mbështolla në një përqafim të çmendur. Ndjeja dhëmbët e saj të fërkoheshin në veshët e mi. Krahët e saj më shtrëngonin fort për mesi; më tërhiqte drejt vetes me gjithë forcën.
Mërmëriste gjithë pasion: “Mara di të dashurojë. Për ty Mara do të bëja gjithçka …Embrassez-moi!…Plus fort, plus fort cheri..”

*Fragment i shkëputur nga romani i Henri Miller: Ditë të qeta në Klishi*

Përgatiti: ObserverKult

LEXO EDHE: HENRI MILLER: ÇDO GJË PARA SË CILËS MBYLLIM SYTË SHËRBEN PËR TË NA MPOSHTUR NEVE NË FUND