“Ajo ka mbetë diku n’nji skaj t’harruem bote…”, Genti Deçka lexon poezinë e Jozef Radit (VIDEO)

Ajo ka mbetë diku,
n’nji skaj t’harruem bote,
tue qindisë lulet e dashnisë s’humbun,
tue arrnue andrrat e hikuna
si zogj të trembun.

Dhe asht njaq e vogël
n’at skaj të harruem bote,
sa frikesh me e kujtue se ta pijnë hyjtë,
edhe asht njaq e brishtë, njaq e qelqtë,
edhe vet andrrimi ta thyen ndër gishta,
edhe asht njaq përplot me vetvedì,
sa frikesh me i folë për flakën
njatij zjarri t’vocërr.

Dhe ka mbetë njatje,
n’at skaj t’harruem bote,
ku shinat lshohen si vajtim
e dielli priton me ngrofë,
njatje ku lumi rrjedh si tallje,
e dashnia s’gjen sqep
m’e thye lvozhgën e me dalë,
njatje ku edhe kujtimi i puthjeve
sos me stinët e borës…

*Titulli i origjinalit: “Ajo”

ObserverKult


Lexo edhe:

KOHA ME HUMB DASHNINË, TREGIM NGA JOZEF RADI

U ba kohë që largësitë s’i ndjej ma n’at njisinë e tyne bazë, po ndryshe… aq sa mundem me thanë se sa ma shumë kohë kalon, aq ma bindun bahem që kjo njisi e përzgjedhun dikur me drojë prej meje, sot më duket ma e drejta, bile ndjehem edhe ma i thekun, se njeriu në ksi kohnash moderne pa e kuptue shndërrohet në nji kordinatë, në nji pikë.

Në nji njisi lëvizse e kontrollueme prej qiejsh, prej toke e prej njerzish pra, ai s’asht tjetër veçse nji afërsi e largët o nji largësi e afërt… n’centrifugë të vetvedit… gjithnji n’vartësi të ngarkesave emocionale që pretendon me i dhanë vedit o tjerëve, o kur tjerët bajnë të njatën gja.

Kështuqë, ky rrëfim asht jo fort i natyrshëm, për ata që marrin guximin me i dalë në breg këtij mundimi të shkruem, edhe pse unë mbetem i bindun e i palëkundun në të drejtën teme se asht nji mundim i vyeshëm për cilindo që jeton sadopak si qenie virtuale…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA GJENI KËTU