Nëntë vëllezërit u ndanë nga jeta, motra u shndërrua në qyqe

         

Në vazhdim mund ta lexoni një legjendë të njohur dhe e përhapur në Drenicë, e mbledhur nga Anton Çetta:

(Llapushnik, Drenicë)


Qè qysh e kem’ t’nine na punën e qyqes. Thonë se ishin kanë nân vllazën. E kishin pasë ni motër. E kishin pas dhanë nân konaqe larg.
-Pse, -thotë motra-me m’dhanë aq larg?
-Na jemi kallabllak, -i thonë vllaznit-edhe vimë javë n’javë e t’shohim.
Edhe nana e vet u tha djelmve:
-Pse po e jepni kaq larg?

Edhe asaj i thanë ashtu. Edhe e martojnë. Shkon çika te burri i vet.
Vllaznit kishin pasë kual t’shalës. U bjen derxha, sikur me thanë kolera, edhe desin t’nanë. Motra pret shum kohë e mërzitet fort. Edhe, ni natë, pej mërzisë vet, gjith tuj kajtë, i paska shkue si n’anërr t’vllajt ma t’voglit. E kish pasë emnin Halil. Edhe çohet ai pej vorrit e bâhet si njeri, si n’syret t’njerit, hyp n’kali edhe i shkon motrës tu dera. Kur shkon, i del përpara motra, e merr ngrykë edhe e dvet:

-Shka â, vlla Halil, qi u ba kshtu? Aman, vlla, pse po t’vjen kshtu era dhé?
-He, -ja kthej i vllaj-shka kemi ba. Kemi marue nân konaqe, nân shpija e, tuj punue, punë e madhe, s’kemi mujtë me ardhë me t’marrë, e tash erdha me t’marrë. Për qatâ po m’vjen era dhé se kemi punue.
Nimê paski punue, -tha motra.
Motra kish pasë ba edhe thmi. U ba gati e po e dvet vllaun:

-A t’e marr thminë?
-Jo, -i tha Halili-thmijën mos e merr me veti se â’udhë e largët e unë vi prap knejna tjera herë.
Deshti m’u veshë motra e m’u nreqë. Nuk e la i vllai as m’u ndrrue, veç qysh â’ kanë e muer e ka tfillue me tâ . Kur shkuen tu dera e shpisë vet, shpija qysh â’kanë, ish rrxue, nana ish kanë qarrue e metë qyqe vetun te guri i oxhakut qysh ma zi, tu’ e majtë katuni kush ka mujtë. Halili e lên motrën tu dera e vetë largohet.
Kjo hin edhe pisket tu dera. Nana i thotë prej shpije:

-Kush t’pruni, bre?
-Halili.
-Qysh Halili? Halili â’dekë qè sa vjet, edhe janë dekë tânë vllaznit.
Çika edhe, pej mërzije, e lut t’madhin zot e thotë:
-He, zot, banëm qyqe me knue gjithmonë rrêm n’rrêm për nân vllazën.
E sot e at ditë gjith knon e kurrë n’degë t’njomë nuk rrin, veç ku â’ lisi i thatë, qaty shkon e ban: ,,Kuku, kuku, kuku!” gjith pa ja da.
E na bile khâ, çobât, nëpër male, thomë:

Qyqe, qyqe, kalandryqe,
pash Halilin, qi e ke vlla,
sa vjet po na jep?

Ajo knon. Na i njehim sa herë ban ,,kuku”, nizet, tridhetë, katërdhetë, pesdhetë herë ose ma shumë sa knon. E na i numrojmë.
Dikuj ja jep (knon) teri niqin herë, e ai gëzohet qi i jep aq shum vjet qyqja. E naj tjetri qi i jep pak vjet, nuk i vjen mirë.

*Shkëputur nga libri i Anton Çettës: “Nga foklori ynë I

Përgatiti: K.B.- ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

SI E VRANË XHEMILEN E BUKUR NË ULQIN (LEGJENDA)