Arnimi, brezi im e njeh mirë se çdo të thotë

Brezi im e njeh mirë se çdo të thotë. E në mos e ka bërë vetë ka parë nënën, gjyshen, teton e ndoshta dhe motrën e madhe me gjilpërë në dorë duke arnuar ato pak veshje që kishim.

Nga Mimoza Leskaj

E duke arnuar mendimi hynte aq thellë sa shpesh dëgjohej një ofshamë, e aty kuptohej se gjilpëra arnonte dhe një copë të shpirtit.
Nuk e di nga vjen fjala-arnim, por më është dukur si fjalë e huaj dhe çuditesha se si rrinte e qetë në fjalorin shqip, dhe nuk e kishte zënë lapsi të quhej “reaksionare”.
Jam munduar ta ndaj në – ar – që do të thotë pasuri e florinjtë, dhe – nim që andej nga jugu ne quajmë minderet e asokohe, ose nim-nga gegnishtja e mesme që do të thotë ,-ndihmë. Pra si pa lidhje duket.
Në këto ditë pandemie e vaksinash (që personalisht kam filluar t’i quaj ditë zullumesh), jemi kthyer në njerëz që kemi filluar të arnojmë, sepse shpirtrat janë zhveshur aqsa është grisur çdo gjë që i mbulonte, dhe nuk di se për sa kohë do të na duhet të mbajmë gjilpërën në duar, për të arnuar krahët e të pafajshmëve.
Dmth e kemi të domosdoshme, sepse varfëria nuk është vetëm ajo që duket, por diçka më shumë, më thellë, e cila loz me padijen, frikën dhe trupat tanë.
Kam ftohtë gjer në atë pikë, sa çmenduria e arnimit është e vetmja shpresë për të më ngrohur, dhe numëroj copat që qepen mbi të tjerët, duke shpresuar të mos më prekin akoma fijet e tyre.
E gjitha kjo, në emër të jetës!

ObserverKult