Baçi: Letërsia ka amanet Njeriun dhe Njerëzoren

Agim Baçi:
Agim Baçi

Intervistë me shkrimtarin e publicistin Agim Baçi

Agim Baçi lindi më 14 shtator 1971 në Shijak. Më 1989 përfundoi gjimnazin “Naim Frashëri” në Durrës. Më 1996 përfundoi studimet në Fakultetin Histori – Filologji, dega Gjuhë – Letërsi, Tiranë. Më 2008 përfundoi studimet Master në Fakultetin Histori-Filologji, Tiranë. Më 2011 nisi doktoraturën pranë QSA, Tiranë. Më 1993 botoi librin e parë me poezi “Ag”. Më 2003 botoi novelën “Gabime të domosdoshme”, Onufri. Më 2013, botoi studimin “Përse e sollën Doruntinën?”, Onufri. Më 2008, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, nderohet “Don Kishot në Letërsi” nga Ambasada Spanjolle, për esenë më të mirë, “Letër Dylqinjës së Tobozës”. Prej vitit 1992 boton në shtypin shqiptar. Aktualisht është editorialist në gazetën “Panorama”.   Prej vitit 2010 është pedagog i lëndës “Psikologji Leximi” në Universitetin Publik. Agim Baçi gjithashtu është edhe kritik letrar, eseist e gazetar.

Nga Ardit MEHMETAJ

1. Jemi ende në kohë pandemie e herë – herë karantinimi po bëhet obligativ për ne. Siç e dimë shumë kryevepra janë shkruar në kohë të tilla si kjo. Sa është pandemia dhe mbyllja terren i volitshëm për shkrimtarin nga njëra anë, dhe për lexuesin nga ana tjetër?

Kohët e pamenduara, të ndryshme nga rutina jonë, si është edhe pandemia, mund të duken si kohë të arta për shkrimtarët e për të gjithë artistët në përgjithësi. Por mund të mos jetë tamam kështu, pasi fuqia e letërsisë nuk është thjesht të shohë të dukshmen, por të shpalosë të padukshmen, atë që qëndron “në errësirë”. Arti “ka detyrimin” që të gjejë një mënyrë e të arrijë të pikturojë klithmën dhe dëshirën, pra indinjatën dhe ëndrrën. Me Bokaçion, Defonë, Manzonin, Kamynë, letërsia e ka prekur fuqinë e së papriturës dhe ka theksuar migrimin shpirtëror që duhet të bëjë njeriu brenda vetes për të përballuar të pamenduarën. Në kohën tonë, të komunikimit online, në kohën e zvogëlimit të largësive për shkak të komunikimit digjital, ky udhëtim brenda vetes tashmë ka më shumë pengesa, dhe duket pak njerëz vërtet mund të migrojnë shpirtërisht, ngaqë bota e sotme e konsumit jeton në përkohshmëri dhe spektakël, e nuk ka meditim.

2. Cila është sfida e të qenit shkrimtar në ditët e sotme?

Shtigjet e reja për të ripërtërirë imagjinatën, ëndërrimin dhe për të sjellë në vëmendje njeriun që di të pyesë, këto janë sfidat e letërsisë, pasi letërsia, në çdo kohë, ka trokitur drejt së nesërmes, e ka ftuar njeriun të shohë atë që duhet të lërë pas, e jo të jetojë sikur nuk ka asgjë për të lënë apo menduar, përveç të sotmes. E nesërmja është një amanet dhe gjithçka që dimë sot është që ne të mos harrojmë atë që na duhet të vijë. E shkuara e letërsisë sheh nga e ardhmja, na rrëfen atë që nuk duhet të lëmë pa e prekur, pasi letërsia ka amanet Njeriun dhe Njerëzoren.

3. Letërsia shqipe ka qenë thuajse gjithmonë e angazhuar, herë në shërbim të fesë, herë si nevojë e atdheut e herë si nënshtrim ndaj sistemit. A është ky shekull “shekulli i çlirimit” për letërsinë tonë, në kontekstin e asaj që sot letërsia nuk është e angazhuar dhe bëhet art për artin?

Letërsia dhe feja e kanë pasur fjalën të parën, kështu që shumë rrugë kanë qenë të përbashkëta. Por letërsia nuk ka qenë thjesht një rrëfim, por ka qenë një ëndërr, një qëndrim, ka qenë një pikturë e ngjyrave brenda njeriut, për të thënë se bota ka nevojë të bëjë pyetjet e duhura. Në këtë kuptim, letërsia nuk mund t’i shmanget përpjekjes për ta zbuluar e ndriçuar atë që jeton me njeriun. Edhe kur shkrimtarët kërkojnë “çlirim”, ata veçse ripohojnë se feja do të jetë gjithnjë rrotull asaj që duhet të mendojmë dhe të ëndërrojmë. Letërsia e sotme rrezikon të përmbytet nga shëmbëlltyra e asaj që ndërton spektakli. Por spektakli ushqehet nga mërzia dhe ankthi duke ngritur kështu mure me të përhershmen, me të përtejshmen. Ndaj letërsia e sotme, në përpjekje për të shmangur “të shenjtën”, ka shenjtëruar botën e sotme të ankthit, që nuk mediton, por vetëm mbijeton. Nuk ka dashuri, ka vetëm seks, nuk ka poezi, nuk ka udhëtim drejt të padukshmes, por vetëm debat mbi atë që duket dhe që përgjithësisht sjell një zvenitje, një shkurajim. E vetmja që mund ta rindezë është e shenjta, ndaj çdo përpjekje e shkrimtarit për ta shmangur apo harruar, nuk është veçse një rrugëtim i harresës – një harresë së pari ndaj vetvetes e pastaj ndaj tjetrit. Koha e sotme nuk e lejon përemrin “Ti”, pasi përmes përpjekjes për çlirim nga e shenjta, tjetri nuk vlen, por është vetëm “ai” që shkon drejt errësirës, për t’u zhdukur.    

4. Si e shihni zhvillimin e letërsisë në Shqipëri që nga rënia e sistemit komunist e tutje?

Kalimi i letërsisë nga një kontroll ideologjik në mbretërinë e konsumit ka ndikuar jo pak në një letërsi pa një fuqi shpirtërore, pa shpirtin kritik ndaj vetes e botës. Një letërsi dokumentare apo e stilit gazetaresk ka dominuar më së shumti në këto tridhjetë vjet, ndërkohë spektakli ka banalizuar rrëfimin. Megjithatë, me ndryshimet e viteve të fundit, sidomos me botimet e shkrimtarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, duket se letërsia shqipe ka hapur një udhë të re, të një ballafaqimi me lexuesin e përbotshëm. Ka ende shumë për të ecur në këtë rrugë, por e rëndësishme është të nisë një debat mbi shina të letrares, të letërsisë.

5. Sa është origjinale ajo që krijohet sot nga shkrimtarët?

Kudo ka imitime, dëshirë për t’i ngjarë një shkrimtari të madh. Ka shumë autorë nëpër botë që e pranojnë ndikimin e një shkrimtari tjetër. Edhe në letërsinë shqipe nuk mund t’i shpëtonim dëshirës për të imituar kalorësit më të mëdhenj të letërsisë. Për shumë kohë shkrimtarët shqiptarë kanë dashur t’i ngjajnë Ismail Kadaresë. Një përpjekje e tillë për ngjashmëri ka qenë lehtësisht e lexueshme dhe më shumë i ka dëmtuar ata. Ndërkohë, pas vitit ’90 u panë përpjekje për t’i ngjarë Kafkës, Xhojsit, Bodlerit, e shumë autorë të ndaluar për shumë e shumë vite në Shqipëri. Por, edhe pse me të tilla përpjekje për ngjashmëri,  besoj se letërsia shqiptare tashmë po vend-oset në shtratin e vet. Ka shkrimtarë që mund të botohen lehtësisht në shumë vende të botës, të cilët bartin atë stofin e origjinalitetit. Dhe besoj se shumë shpejt kritikët dhe studiuesit e duhur do të nxjerrin në pah portretin e letërsisë shqipe. Megjithatë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm që një popull i vogël nuk e ka luksin e një numri të madh shkrimtarësh që mund të bëjnë histori edhe për lexues në mbarë botën, përveç lexuesit shqiptar.

6. A ka arritur letërsia jonë me gjithë atë korpus veprash që nga fillimet të krijojë një identitet të saj?

Ka pasur një letërsi në vitet ’30 të shekullit XX, që u ndalua dhe u deformua nga ideologjia komuniste. Por mund të themi lehtësisht se Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci apo Ernest Koliqi i rezistuan kohës. Kemi Anton Pashkun një autor që mund të lexohet nga çdo lexues në botë. Ndërsa Ismail Kadare arriti të kthehet ambasador i letërsisë shqipe për dekada nëpër botë. Sot mund të flasim për Luan Starovën, Kim Mehmetin, Eqrem Bashën, Fatos Kongolin, Koço Kostën, deri te brezi i pas viteve ’90, si Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Gazmend Kapllani, Arben Dedja, Durim Taçi, e mjaft emra që botohen në gjuhët e vendeve ku jetojnë e banojnë shqiptarët.

7. Sipas jush cilat janë tri kokat themelore të letërsisë shqipe në përgjith-ësi që kanë një rol të paevitueshëm në historinë tonë letrare?

Unë besoj se vëllezërit Frashëri, Mitrush Kuteli dhe Ismail Kadare do jenë gjithnjë emra ku do të vijojmë të kërkojmë edhe për shumë kohë një identifikim të rëndësishëm për letërsinë shqipe, për atë çfarë është ndërtuar si origjinale, si një identikit i shqipes si mendësi, si për-shkrim, si një portret i jetës në këto treva.

8. Letërsisë sonë i mungon çmimi “Nobel”. A parashikoni që në një të ardhme të afërt ta gëzojë edhe letërsia jonë këtë çmim dhe çfarë mendoni për çmimet në tërësi? A janë çmime të ndikuara nga jashtë apo vlerësim në bazë të meritokracisë letrare?

Shumicën e çmimeve prestigjioze në letërsi ka arritur t’i meritojë Ismail Kadare. Çmimi “Nobel” do të shërbente si një shtysë e fortë për gjithë letërsinë shqipe, pasi do të kthente vëmendjen e kritikës dhe studiuesve botërorë edhe për autorë të tjerë. Unë besoj se çmimet, edhe pse nuk janë gjithçka, mbeten gjithsesi indikatorë të rëndësishëm për botën e sotme, por të mos harrojmë se shkrimtarë të rëndësi-shëm, si Dostojevski, Balzaku, Xhojsi, Kafka, Prusti nuk kanë marrë çmime të rëndësishme dhe sërish mbeten autorë të rëndësishëm reference për çdo lexues dhe për çdo shkrues.

9. Këtë fundvit në Shqipëri u dhanë çmimet kombëtare të letërsisë shqipe për roman, poezi, tregime, përkthime dhe për letërsi për fëmijë. Në asnjë nga këto çmime fitues nuk ishte ndonjë autor nga Kosova, madje nuk kishte as të propozuar prej tyre. Për këtë reagoi edhe studiuesi Rexhep Qosja duke thënë se “me emërtimin letërsi shqipe nuk mund të quhet vetëm letërsia e krijuar në Shqipëri por e gjithë letërsia shqipe e krijuar prej atyre që shkruajnë shqip, pavarësisht ku jetojnë”. Kështu, bazuar në këtë, a po e distancon Shqipëria letërsinë shqipe që bëhet në Kosovë dhe a po kontribuon në qëllimin e disave për krijimin e letërsisë kosovare?

Jam dakord me deklaratën e Rexhep Qosjes dhe personalisht gjithnjë kam besuar se letërsi shqipe është e gjithë ajo letërsi që shkruhet shqip, pavarësisht se ku jeton autori. Por besoj se është një çështje burokratike që qeveritë në dy anët e kufirit shqiptar duhet ta kishin koordinuar, që të paktën kulturalisht të mos kishim kufi, deri sa të hiqet çdo lloj kufiri tjetër e shqiptarët të jenë bashkë në çdo rrugëtim. Unë nuk besoj se ka letërsi kosovare e as shkupiane e as ulqinase, por vetëm letërsi shqipe dhe ata që shkruajnë dhe lexojnë janë të vetëdijshëm për këtë.

10. Sot krijohet shumë letërsi në të dy vendet shqiptare: Shqipëri e Kosovë. A shihni dallime mes tyre dhe a është njëra dominuese mbi tjetrën?

Mendoj se nuk ka dallime. Madje as me letërsinë që lëvrohet në Shkup apo Ulqin. Ose, le të themi, se dallimet nuk kanë asnjë fuqi mbi atë që na lidh së bashku. Por nëse ka ende hendeqe që na shqetë-sojnë, duhet të llogarisim edhe atë egoizëm që është mes vetë artistëve, të cilët kanë dëshirë të kenë territore që i njohin më mirë. Por unë besoj se kjo do te jetë edhe për fare pak kohë, pasi të lindurit në Shqipëri pas vitit ’90 dhe të lindurit në Kosovë janë brez pa komplekse bashkë-punimesh. P.sh, një nga botimet më “normale” për mua në vitet e fundit ishte “Enciklopedia e mërgimit” nga Shqiptar Oseku dhe Entela Tabaku, dy shqiptarë që jetojnë në Suedi e që shkruajnë e me-ndojnë shqip me të njëjtën dashuri me vendlindjen, pavarësisht se Oseku vjen nga Gjakova e Tabaku nga Shkodra. Ky botim ishte një “trokitje e përbashkët” për një udhëtim të përbashkët jo vetëm gjuhësor, pavarësisht se nga cila anë burokratike e kufirit vijmë ne “shqipfolësit”, pavarësisht se në cilën pjesë të botës arrijmë të jetojmë përditshmërinë tonë.  

11. A mendoni që letërsinë e Kosovës po vazhdon ta përcjellë trauma e luftës së fundit dhe sa ka arritur të çlirohet ajo nga ky fenomen?

Edhe Kosova, edhe Shqipëria në dy-tri dekadat e fundit ka qenë e lidhur ngushtësisht me traumat e diktaturës dhe me traumat e një lufte që solli viktima, dhimbje dhe një dhunë të gjithanshme. Nuk mund t‘u shpëtojmë këtyre historive, pasi është si të mohonim vetveten. Madje, nuk duhet t’i shmangemi aspak përgje-gjësisë, pasi asnjë letërsi, asnjë lloj arti, nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë për të qenë edhe dëshmitare e kohës së vet. Do të ishte e pamoralshme që të bënim sikur e kemi harruar atë të shkuar, kur në fakt çdo hije e asaj periudhe vijon të bashkëjetojë me ne, edhe kur nuk duam ta pranojmë. Ajo që vlen sot të debatojmë është, nëse në Kosovë apo Shqipëri po arrihet që ajo e shkuar mos të mbetet vetëm dokumentare, vetëm gazetareske, por të arrijë të ndërtojë imazhin e duhur të asaj të shkuare, jo për traumë, por për dinjitetin e kujtdo që dëshiron të kuptojë se çfarë ka ndodhur. Unë besoj se letërsia është rojtarja më e mirë e Njeriut ndaj dhe duhet që tema të tilla të jenë në shkrimtarinë tonë, por me synimin që kushdo të mund të rrokë atë që kërkon njeriu të dijë pas një diktature, pas një lufte, pas një dhune, që e trondit njeriun në gjithçka që është e rëndësishme për të. Nëse ne nuk do arrijmë të mbajmë qëndrim kulturor ndaj së shkuarës, gabimet e gjyshërve, baballarëve mund të bëhen lehtësisht edhe tonat.

12. Botuesit dhe autorët në Kosovë ankohen se librat e tyre nuk blihen në Shqipëri, por kjo nuk ndodh anasjelltas. Ku mendoni se qëndron problemi?

Kjo është një fushë ku duhet të punohet ende nga të gjithë, sidomos nga institucionet shtetërore që duhet të lehtësojnë çdo burokraci. Botuesit në Prishtinë dhe Tiranë duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe duhet të luftojnë bashkërisht që libri të udhëtojë më lirisht në të dy anët de jure të kufirit. Nëse ka diçka që mund të udhëheqë rrugën tonë të përbashkët është libri, është kultura. Unë jam optimist që vetë botuesit dhe lexuesit, në këtë kohë komunikimi digjital, do të arrijnë të bëjnë më shumë presion te autoritetet kulturore që të mos ketë pengesa burokratike për librin.

13. Si e shihni raportin e letërsisë me filmin si dhe paraqitja e zhvillimi i filmit a e kanë zbehur leximin e librit?

Fuqia e madhe e imazhit njihet. Në kohën e konsumit, kur gjithçka lëviz shpejt, imazhi ka marrë edhe më shumë prioritet në kurriz të fjalës, duke krijuar modele për t’u imituar. Por, duhet medoemos që të pohojmë se të krijosh imazhin tënd përmes fjalës dhe të pranosh vetëm një imazh që të jepet nga dikush tjetër, ka një dallim thelbësor. E para, përmes fjalës, jo vetëm se ke fuqinë tënde shpirtërore, por edhe mban gjallë gjimnastikën e trurit për të prodhuar imazhe, për të medituar dhe për të respektuar individualitetin tënd. Ndërsa filmi rrezikon të krijojë uniformitet. Edhe filmi më i realizuar nuk arrin ta zëvendësojë fuqinë që ka imagjinata. Ne kemi përgjegjësinë që të përgatisim për fëmijët tanë rrugë të rëndësishme që libri, fuqia e fjalës së shkruar, të mos mbetet një parafabrikat i ardhur nga imazhi filmik, por të jetë një pjesë e higjienës sonë të të menduarit.

14. A është në dëm të letërsisë kur romanet më të mëdha letrare bëhen filma dhe a qëndron fuqia e letërsisë se disa kryevepra botërore nuk bëhen dot filma siç e kemi rastin e kryeveprave të Dostojevskit?

Duhet të falënderojmë mrekullinë e stilit të Dostojevskit që e bëjnë të pamundur që romanet e tij të vijnë njëlloj në kinema. Edhe Gogoli duket i pamundur për të ardhur në film.  Por kjo nuk do të thotë se teatrot apo ekranizimi i dramave të Shekspirit e ka ulur vlerën e veprave të tij nga leximi. Madje, besoj se Shekspirin sot e lexojnë pak, pasi është proza ajo që ka mundur çdo lloj të lexuari tjetër. Poezia lexohet pak. Poemat edhe më pak. Shkrimi në vargje po humb gjithnjë e më shumë lexuesit, pasi kërkon ritëm, vëmendje, meditim. Në botën e sotme të spektaklit meditimi është “mall” i rrallë. Ndaj, duhet t’i shohim me gërshetim të mirat dhe të metat e ekranizimit. Por unë, personalisht, i besoj fuqisë së lirit në krijimin e imagjinatës, në një lloj marrëdhënie tjetër me botën.

15. Si shqiptarë jemi disi të vonuar, rrymat e ndryshme letrare kanë filluar në trojet tona kur në Evropë kushtimisht kanë përfunduar. Pse ndodh një fenomen i tillë?

Kjo ideja e rrymave për mua nuk ka rëndësi. Në letërsi rrymat shkojnë e vijnë. Shumë shkrimtarë do të habiteshin edhe vetë po të dinin se si i përcaktonin lexuesit. P.sh, beteja më e madhe është me ata që njihen ekzistenacialistë. P.sh, mes tyre përfshihet lehtësisht edhe Dostojevski edhe Sartri, edhe pse i pari ishte një ortodoks i hapur, dhe pranonte ekzistencën e Zotit. Po ashtu është Niçe dhe Kierkegaard, që sërish janë krejtësisht të ndryshëm në qasjen për botën. Pra, unë besoj se, rrymat e ndryshme letrare janë thjesht për efekte studimore, por jo përcaktuese në vlerat letrare. 

16. Sot përkthehet më shumë se kurrë, por si i vlerësoni për nga cilësia përkthimet e kohës sonë?

Në fushën e përkthimit, nuk mund të jap kurrfarë leksioni, për aq kohë sa nuk kam përkthyer kurrë vetë. Natyrisht që mund të dalloj përkthyes fantastikë, ashtu siç ka libra ku me ngec e lexuara. Por unë besoj se emra si: Mitrush Kuteli, Mustafa Greblleshi, Vedat Kokona, Viktor Kalemi, Petro Zheji, Nonda Varfi, Diana Kastrati, Bajram e Erion Karabolli, Granit Zela, e shumë të tjerë, kanë sjellë në shqip libra me përkthime të mrekullueshme, duke hedhur poshtë çdo pretendim se gjuha shqipe nuk arrin ta ketë gjerësinë e duhur për botën shpirtërore autorëve të njohur në gjuhë të ndryshme.

17. Ku qëndron arti ynë shqiptar në relacion me atë ballkanik dhe perëndimor?

Letërsia shqipe ka pasur një staniacion të gjatë nën diktaturë, duke u dehumanizuar thuajse tërësisht, bashkë me artet e tjera. Edhe në këta tridhjetë vite ndryshimesh politike si sistem  ai dehumanizim i thellë ka ndikuar në cilësinë e të shkruarit, e sidomos në gjykimet letrare dhe në kulturën e leximit. Ne njohim shkrimtarë serbë, kroatë, malazezë, grekë, sllovenë e maqedonas që lehtësisht botohen në shumë vende të botës duke qenë prej dekadash pjesë e konkurrimit të lirë e të hapur. Ndërsa Shqipëria po e kap këtë tren me shumë ngadalësi, po rëndësi ka që ky tren ka nisur të lëvizë edhe falë një pjesë të mirë të atyre që u rritën e shkruajnë e botojnë në shumë vende të botës.  

18. Në shekullin që jetojmë kemi një evoluim të shkrimit, por a shihni edhe evoluim të lexuesit në këtë shekull të teknologjisë?

Nuk besoj se teknologjia e rrit cilësinë e rrëfimit e as atë të leximit. E vetmja ndihmë e teknologjisë është përhapja e shpejtë. Më shumë i jep shans atyre rasteve që përmes burokracive të botimit dhe përkthimit ndoshta s’do të njiheshin dhe i jep mundësinë shumë lexuesve që të shkojnë edhe drejt atyre emrave që nuk kanë ardhur në hapësirën e debatit tonë. Por një hapësirë e tillë rrezikon që të na humbë shumë rrugë, e sidomos rrugën për të kuptuar të tjerët.

19. Çka ju shtyn të krijoni dhe sa merrni nga tradita e shkrimit shqiptar?

Krijimi vjen si natyrshmëri, si nevojë për të bashkëndarë përmes fjalës atë që besoj se nuk mund të qëndrojë vetëm brenda lëkurës sime. Tradita e shkrimit shqip padyshim që ka mbetur brenda meje përmes leximeve, përmes gjithë botës së fëmijërisë ku përpija thuajse gjithçka që më binte në dorë. Ne jemi pjesë e udhëtimit tonë, e leximeve tona, e padyshim edhe e imagjinatës që ndërtohet nga ky udhëtim dhe përmes këtij udhëtimi.

20. Kemi Agim Baçin autor në letërsi dhe Agim Baçin publicist, në cilën ndieni më shumë kënaqësi kur shkruani?

Letërsia është dashuria ime e madhe. Publicistika ka qenë pjesë e profesionit, ndërsa letërsia është pasion. Nuk mundet kurrë që profesioni ta mposhtë pasionin, edhe pse për shkaqe të përditshmërisë  profesioni duket sikur e dërgon në periferi të qenies sonë pasionin. Por duke qenë lexues kritik, më bën që të mendohem mirë përpara se të botoj. P.sh., unë sot kam tri novela e tri romane ende të pabotuara. Duhet që të luftoj me veten e t’i botoj, ndryshe gjithnjë do gjej kritika aty që do më bëjnë t’i rishkruaj.

21. Shkrimtarët e rinj sot nuk janë pak. Megjithëse shkruhet shumë, nuk mund të themi që bashkë me kuantitetin është rritur edhe kualiteti, andaj çfarë i këshilloni të rinjtë e sotëm që shkruajnë?

I ftoj të rinjtë të mos joshen nga fama, të mos joshen nga lajkat e të mos nxitojnë për të botuar me çdo kusht duke menduar se po i ikën koha, sikur po zihen frekuencat e njohjeve publike të shkrimtarëve. Joshja nga fama është regres, pasi nuk të lë të shkosh në udhën ku je nisur, nuk të lë të kthehesh te vetja jote, te ato plane që kanë të bëjnë me të ardhmen. A mundet njeriu të ripërtërihet pa menduar për të ardhmen? Por unë jam shpresëplotë që të rinjtë e sotëm do të arrijnë ta drejtojnë sfidën nga ajo që është vërtetë e rëndësishme për letërsinë. Të rinjtë duhet të përpiqen të jetojnë në hapësirën poetike e t’i shmangen hapësirës digjitale që rrezikon t’i lërë në prehrin e egos, pasi hapësira e komunikimit të tepruar i heq fuqinë vetmisë dhe heshtjes – dy elementë të domosdoshëm për të kuptuar jo vetëm veten, por edhe Tjetrin.

ObserverKult