Bardhyl Londo: Sa e gjatë rruga nga trupi tek shpirti…

Sa e gjatë rruga nga trupi tek shpirti,
herë zbardh, herë zverdh si vrer veremi.
Një rrugë të ndjell për nga apokalipsi,
tjetra për nga Jeruzalemi.

Një kryq gjithkënd e pret. i rëndë, i lehtë,
në agim të rrugës a në të ngrysur.
Jeta mund të jetë Dhjatë e Vërtetë
por mund të jetë dhe dhjatë e përmbysur.

Kryqin nuk mund ta shmangësh. Golgota
jote mund të jetë mal, mund të jetë e vogël sa gishti,
në rrugën tënde gjithmonë hapur Kerkaporta*

Pret e bardhë a e verdhë vrer veremi.
Brenda teje lind dhe vdes Apokalipsi,
brenda teje Jeruzalemi.

__________

*)Një portë e vogël dhe fare e parëndësishme në Konstantinopojë, e cila u harrua fatalist hapur dhe nëpërmjet saj otomanët hynë dhe pushtuan kryeqytetin e Bizantit.