Bunari i Çikave, vendi ku u mbytën vajzat për t’i shpëtuar dhunimit!

(Padalishtë, Drenicë)

Kam ní tuj folë fjalë t’popullit, sobave, se nërmje Strellcit e Deçanit âsht bunari qi thirret Bunari i Çikave. Emni i ka metë kshtu se n’vakt  t’mretit, kur janë kanë ushtrija ksajde (manov-u kishin pasë thanë atyne) bâjn yrysh me i nxanë çikat e atij vêni, ku â’ bunari, e me i shnjerzue.

Përpara kanë shkue çikat e mdha deri n’shtatë –tetëmbëdhjetë vjeçe tu’ e ruejtë gjânë.
Çikat, tuj kanë pak (nja tri-katër çika ishin kanë krejt tu’ i ruejtë dhêt) fuqi s’kanë pasë m’u mprojtë, nihëm jo, se aty s’ka pasë kush me shku’ e me u nihmue.

Shpijat i kanë pas larg, se janë kanë me gja. Nerën, erzin s’kanë deshtë m’e dhanë e, për mos m’u shnjerzue, janë ra e janë mytë n’bunar.
 Hala sot i thonë ati bunari Bunari i Çikave.

*Shkëputur nga libri i Anton Çettës: “Nga folklori ynë I

Anton Çetta ishte shkrimtar, studiues e profesor. Në historinë shqiptare ai ka zënë një vend nderi edhe për kontributin e dhënë për pajtimin e gjaqeve.

Çetta u lind në Gjakovë, në vitin 1920. Aty kreu shkollën fillore, kurse mësimet e mesme i vazhdoi në Tiranë e Korçë.

Më pas, ashtu sikur edhe shumë shqiptarë në atë kohë, ai shkoi për të kryer studimet në Itali. 

Vite më pas, Çetta diplomoi për Gjuhë dhe kulturë romane në Universitetin e Beogradit. Më vonë do të emërohej edhe si asistent i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë.

Gjatë kohës sa qëndronte në Beograd, Çetta mbildhte këngë tradicionale të gjuhës shqipe, kryesisht të anës së Dukagjinit. Por për shkak se këngët kishin karakter patriotik, Çetta ra në sy të regjimit serb. Iu desh ta linte Beogradin.

Libri i parë iu botua më 1953. Vazhdoi të botojë libra e tekste të ndryshme  për nevojat e shkollës shqipe dhe sidomos poezi për fëmijë. Anton Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori dhe tradite gojore në trevat shqiptare të Kosovës, por edhe në  të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nga viti 1968,  ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Pasi ishte kthyer në Prishtinë, Çetta vazhdoi të merrej me studimin e folklorit shqiptar. Kjo ia mundësoi të vizitonte për së afërmi shumë krahina e familje shqiptare. Atë kohë, plot familje ishin në hasëm dhe të përçara.

Në vitin 1990, Çetta themeloi “Komitetin për pajtimin e gjaqeve në Kosovë”. Për afro një dekadë pajtoi mijëra familje, dhe shpëtoi nga gjakmarrja shumë burra e djem shqiptarë.

Në vitet e 90-ta, tubimet për pajtimin e gjaqeve u bënë ngjarje të rëndësishme për shqiptarët, në të cilat merrin pjesë shumë njerëz. Madje, nga videot që janë ruajtur nga ajo kohë, thuhet se në një tubim në Verrat e Llukës (Deçan), morën pjesë rreth gjysmë milioni njerëz.

Me anë të këtij komiteti, Çetta dhe aktivistët e tjerë, promovuan faljen, tolerancën, rëndësinë e të qenurit të bashkuar dhe atdhedashurinë. Në këtë mënyrë, Çeta u bë personazh i nderuar për popullin shqiptar, por edhe frymëzim për shumë të rinj që e ndoqën në rrugëtimin e tij, duke u bërë pajtimtarë të gjaqeve.

Anton Çetta u nda nga jeta në vitin 1995 në Prishtinë, sot e 26 vjet më parë, dhe në ceremoninë e varrimit të tij morën pjesë mijëra njerëz nga Kosova. Përpos krijimtarisë me rreth 20 libra, Çeta la pas vetes shembullin e një intelektuali atdhetar, paqe e frymëzim për gjeneratat e ardhshme.

Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

ÇETTA: DO TË VIJ PRAPË, POR PËR NJË PUNË TJETËR, EDHE MA TË MADHE…