Vallë shqipja do folur njësoj edhe në zyrë, në shkollë e televizion…

Foto ilustrim

Nga: Çapajev Gjokutaj

Muhabeti s’po ecte. Pas një heshtjeje goxha të gjatë, Lilua pyeti:

Dmth shqipja s’pranon të thuash ‘Sa vate sahati’? Në çdo rast do thënë: ‘Sa shkoi ora?’
Doemos, ia preu Naqja, shqipen duhet ta flasim në standard. Sahat i thoshin në kohën e babaqemos, sot i themi orë. Nuk themi vate po vajti, a më saktë ‘sa shkoi ora’?

Biseda vazhdoi me një varg pyetjesh, si: Po sikur ai që pyet të jetë plak 90-vjeçar? Ose një aktor që luan rolin e një plaku të tillë?
A bëj gabim që mëngjesin e të dielës, duke gogësirë në shtrat, t’i pëshpëris gruas: Sa vate sahati?

Vallë shqipja do folur njësoj edhe në zyrë, në shkollë e tv, edhe në kafene e në shtrat?
Mos do bërë dallim mes standardit dhe shqipes? Dmth: shqipja – shumë më e gjerë dhe më e pasur se standardi. Apo të dy këmbët në një këpucë? Po gjuha është si lumi, po i hoqe prrenj e lumenj të vegjël që i bashkohen rrugës, firas e kthehet në moçal pa e arritur kurrë detin.

Kur pyetëm kamarieren, shkeli syrin e na tha: Sikur po vjen vakti për bai, bai!
Rrugës për në shtëpi m’u kujtua një vogëlushe tetëvjeçare që njoha vjet gjatë pushimeve. Kishte jetuar gjithë kohën në Washington me prindërit dhe kishte ardhur vetëm para dy vjetësh.

Fliste shqipe puro standarde. Po kur e dëgjoja mes lirshmërisë që të përcjell plazhi, ndjeja një tis të lehtë artificialiteti, diçka librore, si hap rreshtor mes shezlongëve, rërës dhe shkujdesjes së përgjithshme
Pastaj nisa të vras mendjen: gjithë sa folëm me miqtë ishte bisedë apo muhabet kafenesh.

(Nga cikli ‘Kafe për llafe’)

Çepajev Gjokutaj

Lexo edhe:

ÇAPAJEV GJOKUTAJ: NJERIU KA NEVOJË EDHE PËR PËRRALLA

Ia dha gurit dhe e çau, ia dha drurit dhe e thau, ia dha njeriut dhe ky s’u dha.

Jo se njeriu ishte më i fortë, mishi dhe kockat janë kueku më të dobëta, por se njeriu kishte aftësinë të shpikte e të trillonte, të bënte shkencë e të krijonte art e fe…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU