Ç’do të ndodhte nëse papritur reshtim së qeni patriotë për të qenë thjesht njerëz?

Nga: Mario Benedetti

Ç’do të ndodhte nëse një ditë zgjohemi dhe e kuptojmë se jemi shumica?
Ç’do të ndodhte nëse papritur të gjithë, të gjithë sa jemi të gjithë, jo ca, jo disa, por të gjithë, nuk pajtohemi me një padrejtësi, me një të vetme?
Ç’do të ndodhte nëse shumëfishohemi, mblidhemi, këtu, ku vazhdojmë të jemi ndarë, dhe i zbresim nga froni këta që na kanë zënë rrugën?
Ç’do të ndodhte nëse organizohemi dhe në të njëjtën kohë përballemi, pa armë, në heshtje, të shumtë, në miliona vështrime, mbi fytyrën e shtypësve, pa “rroftë”, pa duartrokitje, pa buzëqeshje, pa rrahje-shpine, pa himne partiake, pa himne?
Ç’do të ndodhte nëse unë kërkoj për ty që je aq larg, dhe ti për mua që jam kaq larg, e të dy bashkë për të tjerët që janë shumë larg dhe të tjerët për ne edhe pse jemi larg?
Ç’do të ndodhte nëse britma e një kontinenti do të qe britma e gjithë kontinenteve?
Ç’do të ndodhte nëse do vendosnim gjoksin në vend që të qaheshim?
Ç’do të ndodhte nëse i thyejmë kufijtë dhe avancojmë, e avancojmë, e avancojmë, e avancojmë?
Ç’do të ndodhte nëse i djegim gjithë flamujt për të pasur vetëm një, atë tonin, atë të të gjithëve, ose më mirë asnjë pasi nuk na nevojitet?
Ç’do të ndodhte nëse papritur reshtim së qeni patriotë për të qenë thjesht njerëz?
Nuk e di… pyes veten, ç’do të ndodhte?

Përktheu: Erion Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

MARIO BENEDETTI: MOS U DORËZO, TË LUTEM!