Charles Bukowski: Dëgjo këtu, po deshe ti unë iki?

ti dole, tha ajo,
e mandej shkove e ia fute me shkelm makinës së atij tipit
e mandej shkove e u plandose mbi një shkurre
dhe e zgërlaqe krejt
shkurren,
nuk e di nga të vjen gjithë kjo
agoni
nuk mendon se duhet të shkosh te një psikiatër?
njoh një psikiatër fantastik, ty
ka për të të pëlqyer.

përgjigjmu, tha ajo,
kam frikë nga policia kur
sillesh kështu, bëhem shumë paranojake kur vjen puna te
policia.

përgjigjmu, tha ajo, pse
sillesh kështu?

dëgjo këtu, po deshe ti unë
iki?

mbasi ajo u largua mora një karrige dhe
ia vërvita dritares. qelqnajë gjithandej e një ekran i thyer
gjithashtu.

sa kafshë të ngordhura pluskojnë e lundrojnë nga Uellsi në
Los Angeles?

Përktheu: Virgjil Muçi

*Titulli i origjinalit: “Një natë varfanjake”