Charles Bukowski: Jam tuj dashtë një grue tjetër…

Jam tuj dashtë një grue tjetër,
e jam tuj e dashtë me tanë qetësinë
që ti nuk ma dhe asnjiherë.
Tash e kuptoj që dashunia asht kjo,
me rreshtu ditë të lumtuna
jo se s’ban të fitume me luftë të vazhdueshme.

Ajo asht shumë e bukur,
e kohës
magjia e qëndrushmënisë
asht kaq e mahnitshme
sa nuk di me e përshkru,
me ty kjo magji nuk ndodhi asnjiherë.

Jam mirë,
ajo mori në dorë jetën teme,
e kryet tem,
dhe ndryshoi gjithçka,
i dha kuptim dhe rregull shtëpisë teme,
ishte vendi ku shpëtova.
Ka ditë më diell
e të gjithë më thonë
që jam një njeri tjetër, i ri,
edhe unë ndihem sikur mundem me i hangër retë.


Dal ma herët prej pune
sepse nganjëherë më merr malli shumë për të,
dhe kam nevojë me e taku,
shihena çdo ditë
por veç kur jam me të nuk mendoj për asgja
e besoj se mundem me shpëtu botën
prandej më kupto pse çdo herë
ngas vrap me e përqafu
sa ma shpejt të mundem.


Nuk të du ma,
as ti nuk më don ma,
por unë të shkruj,
sepse kur takohena unë e vërej
si më sheh,
e mundem edhe me kuptu se si të shoh unë, ty.

Unë, Sofia
nuk të du ma por ti
mbete dashunia e jetës teme.
Ekziston veç nji dashuni në jetë,
dhe na e njohëm, e deshtëm,
e mandej nuk ja ndjemë ma mungesën,
por gjithsesi, ti mbetë dashunia e jetës teme.

Asht e vështirë më i ba tjerët me kuptu
por unë plandosem kur të shoh,
më ndryshojnë sytë e zemra,
bahem plak,
zgjat veç një çast
pse as unë e as ti
nuk mundena me ja leju vedit, NE.


Veçse njai çasti asht gjithmonë i pranishëm,
sidomos kur të telefonoj për me e ditë si je,
njai çast asht gjithmonë sepse ti je dashunia e jetës teme,
mospërputhja,
betejat,
kokfortësitë,
unë me ty e për ty
të gjithë këtë
kisha mujtë me e duru.

Në qoftë se më duhet me e përshkru
dashuninë,
unë flas për atë,
por në qoftë se ndonjiherë më pysin
për diçka që shkon përtej dashnunisë
unë kisha me ju folë për ty,
sepse ti reziston
anipse unë kam rreshtë së dashtunit ty,
shumë kohë ma parë.


Përshtati në shqip Arjola Zadrima

LEXO EDHE: Bukowski për dashurinë: Të ruaj si thesarin më të shtrenjtë!