Cili ishte shkrimtari që “zbërtheu” Ungjillin?

Autori portugez dhe laureat i çmimit “Nobel”, mbetet ndër shkrimtarët më të shquar të shekullit XX.

Hoze Saramago nuk reshti kurrë, gjatë gjithë punës së tij, të rishqyrtonte sipas mënyrës së tij, historinë e Portugalisë.Lindur më 1922, ky shkrimtar i vonë (i kishte kaluar të pesëdhjetat, kur përjetoi sukseset e para të mëdha), i përket letërsisë së lindur nga “Revolucioni i karafilave”, që përfundoi, në 1974, i regjimit salazarist. “Ringritur nga toka”, të cilën e botoi në vitin 1980, e merr frymëzimin nga mistika e “ëndrrës së bukur të prillit”. Në roman, shkrimtari rrëfen mjerimin e fshatarëve pa tokë, të punësuar si punëtorë me mëditje në prona të mëdha. Nuk duhet harruar origjina e Saramagos, bir fshatarësh të varfër, ai është autodidakt, diploma e vetme e të cilit është ajo e bravandreqësit, zanat që e praktikoi për tre vjet para se të bëhej gazetar. Për vite të tëra bëri fushatë në fshehtësi për Partinë Komuniste.

Herë pas here botoi disa libra, romane, një përmbledhje poezish. Asgjë shumë e rëndësishme. Duheshin pritur vitet 1980 që të merrte famë me “Zoti pinguin” dhe, mbi të gjitha, “Viti i vdekjes së Rikardo Reisit”.

Në këtë roman, Saramago ringjall figurën mitike të Fernando Pesoas. Kritikët vlerësojnë njohuritë, artin e rrëfimit dhe fantazinë e shkrimtarit. Veçse, do jetë skandali ai që prek publikun e gjerë.

Në vitin 1991, “Ungjilli sipas Jezu Krishtit”, ikonthyesi i autorit, u kritikua nga “L’Osservatore Romano”, organ zyrtar shtypi i Vatikanit, i cili e gjykonte “vizionin e tij në thelb antifetar”. Shkrimtari i lexon Ungjijtë në mënyrën e tij dhe pohon se Jezui ishte dashnori i Mari Magdalenës.

Gjithashtu, ai e paraqet Jezusin si lodrën e një Perëndie, që, i irrituar sepse sundon vetëm mbi popullin hebre, dëshiron të shtrihet në të gjithë botën. Polemika u bë një çështje shtetërore. Sipas një ministri portugez, shkrimtari sulmoi “trashëgiminë fetare kombëtare”. Pas këtij skandali, Saramago u largua nga vendi dhe u vendos në ishullin Lanzarote, në arkipelagun spanjoll të Kanaries.

Nëse ai tronditi katolikët e Portugalisë dhe Spanjës, poshtërimi volterian i portugezëve ishte për shijen e jurisë “Nobel”.

Hoze Saramago mori në vitin 1998, çmimin prestigjioz, Akademia Suedeze, sqaronte në shkrimet e tij, se vepra e shkrimtarit “bëri të prekshëm një realitet largues falë parabolave imagjinare, dhembshurisë dhe ironisë”.

Kur mësoi se mori Nobelin, shkrimtari qesëndisi: “Është njëlloj si Miss Portugalia, vitin tjetër do ta kemi harruar”.

Për vite me radhë, ky lexues i apasionuar i Montenjit, Servantesit dhe Kafkës, ushqente rregullisht një blog, në të cilin nuk i përtypte kurrë fjalët. Mbrojtës i çështjes palestineze, ai denonconte vazhdimisht politikën e Izraelit në territoret e okupuara.

Madje, Saramago nuk hezitoi të sfidonte as ish-kreun e qeverisë italiane, Silvio Berlusconi, duke e quajtur atë “një kriminel”. Saramago blogeri shprehte përmes internetit misionin që ai mendonte se ishte ai i shkrimtarit: të bënte një fjalim për gjendjen e botës.

Si ateist pati probleme me qeverinë portugeze, e cila refuzoi ta paraqiste “Unigjillin sipas Jezu Krishtit” në Çmimin Letrar Europian.

I parespektuar ndaj autoriteteve dhe thellësisht i mbushur me humanizëm, Saramago krijoi një prozë unike, të krijuar me një lloj dialogu të vazhdueshëm të brendshëm, në të cilin nuk kanë vend pengesat më të ngurta të shenjave të pikësimit.

Ishte falë një presjeje, që Hoze Saramago u bë shkrimtar i madh. Në fillim të viteve 1980, kur ishte mbi të pesëdhjetat, ndërsa shkruante një roman për fshatarët e Alentejos (Portugali), rajonin e origjinës, arriti të gjente stilin e tij.

“Po shkruaja një roman si të tjerët. Papritmas, në faqen 24 ose 25, pa e pasur mendjen, pa menduar, pa marrë një vendim, fillova të shkruaj me atë që është bërë mënyra ime e të rrëfyerit personal, kjo shkrirje e stilit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, pikësimi u reduktua në pikë dhe në presje.

Besoj se ky stil nuk do të kishte lindur, nëse libri nuk do kishte filluar nga diçka që e kisha dëgjuar më parë. Duhej të gjenim një ton, një mënyrë për të transkriptuar ritmin, muzikën e fjalës që themi, jo atë që shkruajmë. Më pas, rimora njëzet faqet e para për t’i rishkruar”.

Çelësi i stilit të këtij ish-bravandreqësi janë dialogët, që ndërthuren në një prozë kompakte. Ata prezantohen nga një presje, e ndjekur nga një shkronjë e madhe që tregon ndryshimin e folësve.

Ka shkruar vepra të ndryshme, ndër të cilat “Le të ulërijmë”, “Tjetri si unë”, “Kaini” etj.

Ligjërimi, në veprat e Saramagos rrjedh vazhdimisht në një masë harmonike fjalësh që marrin, faqe pas faqeje, strukturën konkrete të një ndërtese kryelartë dhe ndoshta, vështirësisht të pranueshme.

Shkrimtari portugez, u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare.

ObserverKult


Lexo edhe:

SARAMAGO: “KURRË NUK E BESOVA SE DO BËHEM DIKUSHI NË JETË…”

Intervistë me Jose Saramagon

Njё udhёtim i mrekullueshёm nё Ishujt Kanarius. Mbёrritem aty nga darka. Lagёshtirё dhe vapё, turistё amerikanё e anglezё, me pije ndёr duar qё ua dehte shpirtin, tё gatshёm tё kalojnё çdo kufi mirёsjelljeje.

Dhe unё mes tyre duke pritur tё kalojё nata, qё tё nesёrmen tё nisja udhёtimin pёr nё ishullin Lansarote, nё fshatin Tias pёr t’u takuar me shkrimtarin, vepra e tё cilit mё kish mahnitur duke e lexuar.

Njё shkrimtar i madh, njё shtёpi e mrekullueshme, njё bashkёshorte e çuditshme, 2 qenё qё na ngatёrroheshin nёpёr kёmbё, fotografi dhe piktura rreth nesh. Pёrtej dritares – kopshti me lule. Mё tutje oqeani – njё kaltёrsi pafund.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult