Çun Lajçi: Gjumin e bante mbi vorrin e burrit të vet…

E vranë! E vranë t’vramit e vranë!
Kishte bërtitë nana e Lecit e zani ishte thye valë-valë kodrave t’Pulatit! Valë-valë iu kishte thye edhe zemra!

Mrika e Kolës nuk deshti m’u besua fjalëve t’saj as veshve t’vet! I çatalloj sytë e vetullat e trasha i përpjeki n’ballë. Gojës i vuni kapak përgjithmonë!

E kishte përcjellë t’lamë e të ndrruem, tue u zbardhë terri i natës. Edhe koburën me fije sërmi ia kishte lye me vjam arushe. Vezmet ia kishte mbushë fyshekë! E kishte shtrëngua n’parzëm kur ishte nisë për tek Bajraktari, e krejt dashninë e zemrës ia kishte falë at mëngjes.

Si t’ishte hera e fundit e kishte puthë n’qafë dhandrrin e bacës Kolë.
E kam për merak i thoshte katundit e s’e ndrroj me djalë. E kam zgjedhë ndër katërdhetë sokolana burrin e kallushës!

Kjo, nuk ia kishte nda sytë atë mëngjes, deri sa u nuk e kishte mbulua kodra n’fund t’katundit!
Ishte parandjenjë se s’do ta takonte ma apo ishte mall dashnie nuk e dinte as Mrikë zeza, por sytë as zemra s’po i ngiheshin me burrin atë mëngjes!

Dhe e vra në t’vramit, i përsëriti ma n’fund edhe ajo fjalët e nanë madhes, pa e ditë kush e vrau, dhe i shkoi të vorri duer kryq e ia puthi kryqin e n’kryq u betua se hakun ka me ia marrë pa shkua viti.

U kthye n’qiler dhe i paloi n’arkë nji nga nji teshat e t’shoqit. Ia vuni drynin e me koburën e tij n’brez, muer rrugë kah e çuen kambët e s’pati kujt me i ra ndorë për ndihmë!

Babën Kolë s’deshti me randua n’pleqni e vlla nuk kishte me ia qitë pushkës tymin!
Hej, nji vit s’e ndali hapin. Nji vit se deshi xhubletën. E rrehi shiu dhe e zbardhi bora kur muer vesh se vra sësi ishte kunati i vet!

Mirë që s’iu këputë kollani i xhubletës tue kullua ujë n’trupin e saj për nji vit. Ditën e nuhatte kunatin e natën e bante gjumin mbi vorrin e burrit vet.

Ore, kishte luejt mendsh apo ishte ba kulçedër kush mund ta dinte, kur kurkush s’guxonte me i dalë para kallushajkës me vetullat e trasha! Nji çikë maloke e bukur si zana, e shkeli rrugën Shkup e Ohër tue lypë faqeziun që ia këputi jetën vllaut, veç pse nusja e tij ia kishte marrë mendët e kresë.

I treguen se dorërasin e kishin pa n’Shkodër. Katër ditë bani me mbrri n’rrugën e madhe t’Shkodrës. Ia nxuni pritën dhe me koburën e Lecit ia teri britë kunatit faqezi.

Djegu n’flakën e xhehnemit qyshë ma dogje rininë mua, i bërtiti, dhe u drodh malokja e bukur për tek malet e veta.
Pse duhet mu përcëllua për së gjalli dy pleq t’shkretë, për fajin e t’bijve, kishte thanë për ato katër ditë deri sa u kthye n’shtëpi! Ma mirë le t’shkojnë të bimët e veta tha dhe i vrau që të dy!

Mrika nuk shkoi të Kolë Marashi, por e nxuni vendin e Lecit. S’e la shkret vendin e rojës se Bajraktarit kishte thanë dhe u ba roje vet.

Fati e deshti ta takonte mirashën, që ia muer burrit hakun, gazetari anglez Wiliam (n’vitet 1906-7) e t’ia mësonte biografinë e ta përjetësonte përgjithmonë n’foto, t’cilën e kemi sot!

Çfarë fati me pasë mirakën, malokën, zanën kallushajkë n’foto e me i thanë nipit: Kqyri bijat e maleve, bukuritë që s’harrohen për trimnitë e tyne!

*Titulli i origjinalit: “Mrika, vetull trasha që e vrau kunatin”

————————

Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI: UNË MUND T’JEM VETËM LOTI YT E TI BOTA IME…

ObserverKult