Çun Lajçi për vajzën e ndjerë: Nuk m’la me përqafua…


Nga: Çun Lajçi

Pesë muej s’i shkova të varri, pesë muej s’më erdhi n’andrra!
Erdhi si e çmendun, natën nëpër terr! Fliste t’madhe, por fjalët si merreshin vesh nga vaji!
Fol e mos qaj i thash! Se vaj pata boll!

Erdhe n’shkurt, m’tha, kur isha e mbulueme me borë, e kur ditëlindjen time e mbuluen lulet e majit e cicërimat e zogjëve, nuk erdhe!
Pse m’harrove?
Hej!

Nëpër borë more erdhe i mërdhimë, e ma puthe gurin akull, e akull u ktheve n’Prishtinë, e n’mujin e qërshiave humbe?!
Çfar’ babe je ti? Kallxom çfar’ babe?
Katër muej po pres me pa mjekrrën tand t’bardhë! Me ndie ofshamën tande t’plakun mbi gurin e varrit?
Dorën tande me ndie kur t’ma vesh mbi ballë!? E ti as nuk vjen as letra s’me shkruen ma!?

A thua qyqja duhet gjithmonë me m’knua ndër male?
M’tha hija e çikës sime, tue dashtë me ikë nata mbramë.
Fliste t’madhe e fjalët s’i merreshin vesh nga vaji!?
Afrohej t’më përqafonte. I zgjatte duert si ëngjëll e n’çast bahej si e çmendun!

Ngjitej shkallëve për tek dhoma e saj e rrëzohej. Bërtiste, qante, afrohej, ikte! Prapë shkonte n’dhomën e saj e qeshej si zanat e malit .
Unë s’lëvizja. S’kisha fuqi! Mënzi merrja frymë n’shtratin e Covidit… postcovidit… postdreqit! Vaj medet për mu!

I hoqa gypat e oksigjenit e bërtita: Prit t’kallxoj moj, prit mos u çmend, se n’shtratin e dekës jam që kur iku shkurti e me ecë s’po muj, e lotët mu derdhën faqeve!
I hapa krahët me marrë ngrykë, mallin me ia hjekë, por iku me terrin. I thirra nga shtrati, se m’u çua s’mujta nga gypat e oksigjenit që m’jepin frymë.
Kur e mbylli derën, nisa e vajtova.

E kam ditë se je idhnua! E kam ditë moj Bubulinë!
Por smutë jam kanë, që kur hyni shkurti e erdh qershori!
Shtratin kalbë e kam pesë muej!
Smutë jam kanë e besë nuk ke nxanë!

Ah, hija e vajzës sime erdhi mbramë pa zbardhë drita! S’kishte besua se plaku i saj, randë po merrte frymë, e s’po mund t’i shkonte ma të varri!
Nuk m’la me përqafua as kur erdhi as kur iku!
Erdhi tue folë, shkoi tue qajt!

Dardani, 14.06.2021

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI: SHKOVA… PO NANA ISHTE N’VARR E MBULUEME ME BORË…