Dashuria iku para se të ndjeja përqafimin e saj…

lamtumirë jane austen teodor fontan guxim

Nga: Nogúçi Jóne

Në dritaren time Dhembja ngre zërin
dhe këndon një serenatë.
Unë i thërras: “Hej, ju atje, shoqe, ju njoh!
Kam mjaft nga kënga juaj.
Natën e mirë! Natën e mirë!”
Mbyll dritaren dhe shuaj dritën për të fjetur,
po Dhembja, nga jashtë, vazhdon të këndojë.
Hëna ndriçon, era fryn nëpër lule.
S’mund të fle. Serenata e Dhembjes
më ushton në veshë.
E hap dritaren përsëri dhe dua ta shporr,
po Dhembja ngre drejt meje vështrimin e saj
të ftohtë dhe cinik:
“E, mirë, -më thërret, -dëshironi të dëgjoni
ende këngën time?”

Eci nëpër një rrugë, ku pak ose aspak s’duket,
dhe shpejt arrij te pragu i Dashurisë.
Trokas te porta.
Dashuria e hap e më thotë: “Ç’ju solli tek unë?
S’kam dhomë të lirë për ju. Më vjen keq,
kërkoni gjetiu.”
Dashuria mbyll portën me potere.
Mbetem i tmerruar dhe s’mund të largohem.
Përmes portës dëgjoj Dashurinë që qan.
Dashuria tani është zhdukur. Kujtimi që më la,
janë tre a katër fëmijë.
Unë ha dhe fle dhe e sotmja është njëlloj
me të djeshmen.
Lavjerrësi në orën një godet një herë
Çohem dhe u rregulloj mbulesën kalamajve,
që flenë pranë meje.
Dashuria iku më parë se të ndieja përqafimin e saj.

Po ç’rëndësi ka?
Lavjerrësi me saktësi vazhdon të shënojë orët,
po Dashuria ka ikur.
Jeta ime është përpirë nga një shok llupës,
që quhet “kohë”.

Ja…nesër…nesër
Atë që duhet sot, do ta bëj nesër,
dhe unë pyes veten: “Ç’është kjo e nesërme
për të cilën flitet kaq shumë?”
Shtëpitë, thuhet, i ngjasin dhëmbëve të një krehëri:
në njërin prej tyre ndërtoj shtëpinë time
dhe shoh përfytyrimin e Dashurisë,
që më ka braktisur.

Përktheu: Petraq Kolevica

*Titulli i origjinalit: “Dashuria dhe jeta

ObserverKult

—————–

LEXO EDHE:

Petraq Kolevica: E dashur, fli!