Dashuria mbi nënshtrimin

Kjo fotografi ka disa vjet që qarkullon në internet duke mahnitur shumë njerëz me aktin e heshtur, por thellësisht të guximshëm të mospajtimit me shumicën.
Padyshim, në atë foto mund të ketë edhe shumë të tjerë që nuk e kanë përkrahur, ose nuk e kanë dashur regjimin nazist, por veprimi, ose mosveprimi i atij burri që qëndron duarkryq teksa të tjerët shprehin besnikërinë është i rrallë. Veçanërisht po të kihet parasysh që përballë këtyre njerëzve që përshëndesin me dorën e shtrirë ndodhet vetë Hitleri.

Nga Arben Kallamata

I pabinduri quhet August Landmesser. Fotoja është marrë në 13 Qershor 1936 në kantjerin detar Blohm + Voss ku ai punonte dhe ku, krejt papritur u çfaq për vizitë vetë Fyrheri. Mesa duket Landmesser nuk ka mundur ta detyrojë veten të ngrerë dorën lart për të përshëndetur një njeri që në atë kohë ai nuk e honepste.
Historia e August Landmesserit është vërtet interesante. Fillimisht, duke dashur të ecte në karrierë ai u regjistrua në rradhët e Partisë Naziste. Por më vonë, ai ra në dashuri me Irma Eckler një vajzë çifute dhe shumë shpejt e kuptoi se duhej të zgjidhte midis dashurisë dhe partisë. Fotoja tregon se ai ka zgjedhur të parën.
Fejesa i solli përjashtimin nga partia. Ata u martuan dhe lindën një vajzë. Në 1937 u përpoqën familjarisht të kalonin në Danimarkë, por nuk mundën, sepse u kapën në kufi. August Landmasser u akuzua për shnderim të racës dhe u fut në burg për një periudhë të shkurtër. Më vonë ata u përpoqën përsëri të dilnin nga Gjermania, dhe përsëri u kapën. Irma u dërgua sa në një burg, në një kamp përqëndrimi, ku edhe lindi vajzën e tyre të dytë. Të dyja vajzat u morën nga shteti dhe iu dhanë për t’i rritur dhe edukuar familje të tjera. Irma vdiq në vitin 1942 në dhomat e gazit në Bernburg. August Landmesser u lirua nga burgu në 1941, por më vonë, kur Gjermania naziste ishte keq për trupa ushtarësh, u mobilizua me forcë në një njësi ish-të burgosurish dhe u dërgua në Kroaci. Aty u vra katër muaj para mbarimit të luftës.
Një histori e dhimbshme ndër shumë të tjera të ngjashme. Megjithatë, nuk mund të mos admirosh forcën e karakterit të këtij njeriu të thjeshtë i cili nuk ia nënshtroi diktaturës dashurinë.

ObserverKult