Din Mehmeti: Kosovë, zog i diellit…

Je fjalë e ruajtur nga dheu
Që hyn nëpër gjak
E del nëpër diell

Je kraharor i shpuar nga plumbat
Krua i gjetur në palcën e shkëmbit
Të nxirë nga gjuajtjet nëpër kohë

Kosovë lahutë e djegur këngësh
E thirrjesh ndër revolucione

2

Je emër i pakësuar në luftë
Për të mbetur e bukur
Për gjuhën që s’deshi të këputet
Nga rrënjët e legjendës së vjetër

Je stuhi e vringëllimave të shpatave
Tokë e bleruar ndër ëndrra
Tokë e rritur në gjinj
Nëpër vite e shekuj

Kosovë, pushkë e gjatë e zbrazur
Nga rruga e nga pylli

3
E gurë të thyer mbi gurë
e mur –
Shpend i vrarë në bebëza

E gurë të ngrënë mbi rrashtë
e duar –
Durim i gjakut në emër

E rrashtë e shpuar mbi gurë
e flamur
Lumë i zi, lumë i kuq në zemër

4
Je ylli im dhe vdekja ime
Ke zërin e ninullave
Ninullave të kënduara kryengritjeve

Je gjuha ime dhe ashti im
Ke formën e sofrës –
Sofrës së dasmave të kuqe

Je e tashmja dhe e ardhmja ime
Ke syrin prej lulediellit –
Lulediellit të skuqur nga flaka e pushkës
Nga gjaku e djersa

5

Djepi yt më ka rritur
Djepi yt më ka plakur
Rrugët tymojnë

Në prehrin tënd jemi gjetur
Në prehrin tënd kemi mbetur
Këngët jehojnë

Kosovë tokë e paepur

6

Pas teje
Shekujt gurë të shpuar breg rrugëve
ëndërrojnë

Pas teje
Dejtë e tharë rreth zemrave
lotojnë

Pas teje
Kullat e verbuara ditëve të përflakura
recitojnë

Pas teje
Tokë e qiell muze eshtrash e dritash
gjakojnë

Pas teje
Fjalët e mia të gurëzuara në shkëmb
të kërkojnë

7

Të kërkoj ndër libra
E të gjej në gjuhë –

Rrethatore e ngrirë e brezit

Të kërkoj nëpër dete
E të gjej në shkëmb

Fanar i dritës dhe i gjakut

Të kërkoj ndër varre
E të gjej në tufat e kallinjve
Si mustaqet e rritura të nipave

Kosovë lavër e skuqur e ballit tim

8

Të dua për farën
Që tufoi edhe ndër varre
Edhe mes gishtërinjve
Edhe ndër sy

Të dua për farën
Që s’e kalbi as gjaku
Që s’e mërdheu as acari

Që s’e shterri as thatësia

Të dua për duart
që libra shkruajnë
Për ikjet e kthimet e tua
Nëpër fërfëllaza e të reshura

Të dua për kullat tri herë të kallura
E të ndërtuara sërish nëpër krisma

Të dua për emrin që shkrove
Me majë të briskut nëpër lisa

Për shqiponjat që i qëndise
Shamive të djemve të vetëm
Për ndjekjet rrahjet vdekjet
E Mehmet Dinës
Për yrishet e tij sukave
Për pushkën e tij pa rrip
Për fishekët e tij nëpër xhepa
Të dua për damarët e dritës
Në duart e Din Mehmetit

9

E kullat e djegura të mbikullave –
Lëmsha flake në qiell

E pushkët e heshtura nga pushkët
për një emër
Për një djep për një qiell –
Recital i gjuhës

Kosovë krismë e gjatë

10

Qëndroj para teje me një pushkë
E me një laps –
Porosia jote më kall
Fryma jote më jep zemër jetë më jep

11

Të dua për këngët e babait
Mbrëmjeve pa dritë
Për lutjet e nënave vetëtimave
Për pranverat që nxorre nga gjoksi
Për yjet diejt tokës së pëlleshme
Të dua për duart që ngrenë ura
Që lidhin në mes veti popujt
Për ato që ndërtojnë shkolla në fshat

Kosovë shqiponjë valltare shkëmbinjsh
Dhe fushash të bleruara

Të dua për një kështjellë eshtrash
Për një shpatë
Për një emër
Për gjithçka që shihet e preket
Për gjithçka në ëndërr e zhgjëndërr

Të dua kur qeshi kur qaj
Kur ngrihem kur zbres
Kur eçtohem kur kam uri
Kur dashuroj kur çmendem

Kosovë zog i diellit…