Donika Dabishevci: Përvlue n’dashni!

donika dabishevci n'dashni

Poezi nga Donika Dabishevci

Qielli i terratisun si futë deke nisi me u zdritë çuditshëm
prej yjeve ziliqar që banin thashetheme. Xixllonjat llamburonjëse
flisnin me hanën xheloze. Sybajamja nisi me e përdredh shtatin drapën…

Do fërkem lloqit ja kishin msye drejt meje. Tuj i zgurdullue sytë,
katër mu bonën. Kërdhokujt e ninzat u rritën. Dro me dalë krejt
edhe pse kush nuk m’kishte nem me t’dalçin sytë!

Shputa t’zbathuna.
Kambë burri.

Era fryente llahtarshëm, kanatat e dritareve përplaseshin
si n’filma horror e do zëra t’paniem kurrë oshtinin n’kupë t’qiellës.

Drojshëm nisa me e naltsue shikimin. Truplakuriq,
mbulue veç me nji gjethe. M’i mori sytë e banum gozhdë.
E  mata e çmata. Rrej me thanë që s’u knaqën t’shkretit tuj kullotë,
he syni i keq mos e paftë!

N’kryqzimin sy m’sy m’u lëbyrën t’gzuemit.
M’kqyrte si ujku hanën. Ballnaltë. Krahapun.
Sikur me m’pas pritë zhur prej mallit me mija vjet.

Nuk qenka i ktushëm, kish me thanë Manjo, mikja jeme poete.
Nashta!
Po ç’ka me zemërmynxyrën tem n’këtë natë djegun dhimtash…
Bash n’mue deshi me e ndeshë Zoti?

Mistike.
Hyjnore.
Joshëse.
E papërballushme.

Nashta ka ardhë prej nji botë tjetër me ma përmbysë botën,
nashta ka ardhë prej nji galaktikë tjetër me m’pushtue,
nashta ka ardhë prej nji stine tjetër me m’pjalmue
si nji luleborë herake plot epsh n’pranverë…

Ai s’foli gja. S’kishte pse. U dorëzova. Rashë. Jo n’tokë. N’duer t’tina.
M’mbërtheu fort, m’gjuejti si thes n’shpinë dhe vazhdoi hapin
E quejta Adam…

ObserverKult

Kliko edhe:

DONIKA DABISHEVCI: KUR KE ME U DORËZUE…
DONIKA DABISHEVCI: DU ME T’PI
DONIKA DABISHEVCI: ROBNESHË E DORZUEME…
DONIKA DABISHEVCI: LUNATIKE