Gruaja fle në çarçafin e bardhë e jastëkun e bardhë E bukur si perëndi e lashtë e Greqisë; Flenë sytë e saj që më mahnitën vite me radhë, Flenë buzët e saj si kokrra e prerë në mes e qershisë;
Flenë qerpikët si halat natën në grurë, Flenë mollëzat e faqeve që bëjnë gropëza kur qeshin , Fle balli i hijshëm që s’e desha të ngrysur kurrë Dhe nën ballë vetullat si krah dallëndyshe heshtin.
Në çast më pushton një ndjenjë fajësie dhe malli, Para saj i vetëm, para saj i pagjumë, Dhe mbulohet me rrudha të dendura balli Dhe them me vete: grua e dashur të kam lodhur shumë.
Kam ikur shpesh në rrugë të gjata në fusha e shpate, Të kam lënë fëmijë e shqetësime mbi shpinë, Të kam lënë pazarin, radhën e netët fillikate, Të kam lënë mbi shpatulla gjithë shtëpinë.