Poezi nga fletorka e rinisë së Dritëro Agollit: Vasha e ëndërruar

Vasha e ëndërruar

Shtëpia jote thellë kopshtit futur
Si tempull ëndrrash hesht e mjegulluar
Dhe unë i dashuruar murit strukur
Vështroj ballkonin tënd me dritë shuar.

Pastaj me ankth nga kopshti të hedh gjethe
Si një kusar kaçubeve i fshehur
Dhe pres një çast përhumbur si ndër ethe
Të nxjerrësh kryet mundësisht pa krehur.

Mbi tempull kaltëron kjo natë e vakët
Dhe yjet shushurijnë si burime…
Ah, shpresën sigurisht e kam të pakët
Të zbresësh e të bëhesh gruaja ime…

1961

ObserverKult

ANTON PASHKU: NËN QARR PO RRINTE VASHA

Syni s’e sheh synin matanë hundës,
zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës
(Thuhej dikur në Has)

anton pashku vasha

1.
Qetësinë, befas, e zhdavariti rrokullisja e një guri.

2.
Mbasi guri theu qafën teposhtë malit, Dila e Marisë desh të çohej për të parë ku i kishte delet dhe a mos ishin trembur, por therra e murrizit, që iu ngul pardje kur shkoi ta kthejë një qengj që kish mbetur mbrapa grigjës, – e theri në thembër, e cila po i mblidhte qelb. E këputi dhembja e fortë: përsëri u shtri nën qarr. Ballin ia rimuan djersët. U zbeh. Mbylli sytë.
Gjëja e fundit që pa Dila, para se t’i lëshonte këlkatëset, ishte qielli i gjerë ding me bashka të reve që, përtueshëm, udhëtonin dikah…

3.
S’i ndahej dhembja. Therra e therte pajada. Iu duk se do të mbetej përgjithmonë aty, nën qarrin plak. Se nuk do të mund të çohej kurrë për t’i prekur kryet në krahoshën e varur në rremin e një dege të qarrit më të moçëm, më krahëhapur, më majëlartë se asnjë qarr tjetër në këto anë.
“O zot”, mendoi, “a e di kush sa asht i vjetër ky qarr – dhetë, njizet, njiqind apo, ndoshta, pesëqind vjet?”

Tekstin e plotë e gjeni KETU

ObserverKult

Lexo edhe:

AHMET SELMANI: KUR NISI TË QANTE VASHA

ahmet selmani vasha

(ose shiu që u ndje i mposhtur)

Kur nisi
të qante vasha me lot
një qyqe
seç iku me vrapin e kalit
nëpër qiell
kurse shiu ngaqë u ndje
i mposhtur
u ndal si burrë i turpëruar
e me faj.

ObserverKult