E di nuk je i zemërum me mu, je vetëm i dashuruem njësoj si unë…
Nga Arjola Zadrima
I dashtun, Sot perëndimi i diellit mbi liqen kishte ngjyrën e heshtjes tande. Valët ecnin avash drejt bregut, pulbardhat pëshpërisnin një mungesë të kuqërremtë. Tufa- tufa u çuen në fluturim, e shpirti më shkon përpjetë tuj i ndjekë, tue ja shiju lirinë e varun në sqep. Sa e veçantë kjo stinë. Gumëzhijnë brenda meje mendimet, përplasen në buzë që s’pipëtijnë…sërisht grindem me vedin brenda vedit. Kjo unë e vështirë për këtë moshë në këtë stinë të verdhë mi zbeh hapat, e shpesh më njom faqet. Por ndoshta kje e thanun për dreq me mbetë e ndjeshme, jo fort komode për këtë jetë. Shpesh më duket sikur shkel në shkamij e hija jote më pret sdi ku, e njëjtë këtu e njëzet vjet, por gjithmonë venitet në horizont a në pikën kulminante mes qiellit e tokës… Më fal, harroj shpesh me të pytë, çka bane sot? Ndoshta më i ndërru dy fjalë, a ndoshta më të shtu mall nuk e di cila prej këtyne më don ma fort. Se ne jena të ngjashëm, edhe krenaritë i kemi njësoj , edhe dashninë e mbajmë, e tundim, e shkundim e përplasim deri sa bjen, thehet mandej na rrëshqet fytyrës si lot. Ah sa t’i kisha puthë durtë sot, edhe sytë e njomë, të kisha vëzhgue në gjumë natën vonë, të kisha ledh lehtë flokët, tuj e mbyll kishe falenderu edhe Zotin që ekziston dikush si ti në këtë rruzull të pandreqshëm. E di nuk je i zemërum me mu, je vetëm i dashuruem njësoj si unë, që të kapërdijë ty, e mendoj ty, e të peshoj ty çdo ditë në gjoks. Nganjëherë mjafton një urë mërzie sa më të thanë , tash që duhena kaq verbnisht si me ta thanë frymën , a po më kallzon? Asht vjeshtë, por nuk jemi asnjiherë vonë me u dashtë. E jotja përgjithmonë!/ ObserverKult