Edhe pse nuk ishte mirë me shëndet, në këtë skulpturë Mikelanxhelo punoi deri në ditët e fundit të jetës

Pietà Rondanini, skulptura e fundit që artisti i madh i Rilindjes Italiane, i la botës.

Michelangelo Buonarroti, një protagonist i madh i Rilindjes italiane, ishte 89 vjeç kur vdiq. Ndonëse gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë, ai deri në ditët e fundit iu përkushtua Pietà Rondaninit.

Skulpturën Pietà Rondanini, Mikelanxhelo e filloi në vitin 1552 dhe punoi në te deri në ditët e fundit të jetës së tij, 1564.

Skulptura e fundit e tij, Pietà Rondanini, u emërua nga blerësit e saj, markezët Rondanini. Gati dy shekuj pas vdekjes së Mikelanxhelos, ajo u ble nga markezët të cilët e vendosën në pallatin e familjes në Romë.

Dy shekuj më vonë, në vitin 1952, ajo u ble nga Bashkia e Milanos. Pas shumë dyshimesh në lidhje me vendndodhjen e saj, sot ajo ruhet në Castello Sforzesco, në dhomat e atij që dikur ishte Spitali Spanjoll.

Skulptura e fundit që i la botës

Është skulpturë e lartë një metër e nëntëdhjetë e pesë centimetra, e bërë nga ai mermer që Mikelanxhelo zgjodhi me kujdes në Alpet Apuan, e izoluar në dhomën ku është ekspozuar në mënyrë që të jetë e dukshme nga çdo këndvështrim.

Ai përfaqëson temën e Pietà-s, që është akti i pranimit, nga Maria, të trupit të Krishtit, djalit të saj, pas depozitimit nga Kryqi: është shkrirja e trupit të Krishtit në trupin e Nënës, si në një përpjekje për ta ringjallur atë në momentin e vdekjes.

Veçantia e skulpturës Pietà Rondanini

E veçanta e kësaj skulpture është se është një “e papërfunduar”, pra një vepër e lëmuar dhe e punuar vetëm në disa pjesë, ndërsa të tjerat janë lënë në gjendje skice.

A ndaloi puna e Mikelanxhelos kur ekspresiviteti, për të, u realizua në mënyrë të përsosur, sikur të mos ishte më e nevojshme të skalitej pjesa tjetër, ngaqë tashmë, ajo ishte krejtësisht e lexueshme?

Vepra kishte një histori të trazuar. Gjatë dymbëdhjetë viteve, ajo u mor disa herë nga Mikelanxhelo. Këmbët e Krishtit tashmë të përfunduara dhe trungu i krahut të tij të djathtë, i ndarë qartë nga figura, mbeten ato të versionit të parë.

Trupi i ri, me krahët e ngjitur në trup, është përkundrazi më i prapambetur sepse Mikelanxhelo e “nxjerrë” atë nga busti origjinal, që i përkiste Nënës.

Për Mikelanxhelon, skulptura ishte arti i heqjes për të zbuluar atë që përmban vetë materiali. Ka nga ata që pohojnë se vepra ka mbetur e tillë, e papërfunduar, për shkak të zhdukjes së artistit. Ndërsa për të tjerë, është simbol i lirisë shprehëse të Mikelanxhelos dhe reflektimeve të tij shpirtërore. Madje edhe përtej rregullave të bukurisë klasike. /fjala.al

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

MICHELANGELO PIKTURONTE ME DORËN E DJATHTË NGA FRIKA SE…

ObserverKult