Edmond Tupja: Ti pa mua

Ti pa mua,
Pastaj pa nënën tënde!
E tmerrshme marramendje!
Vetëm me gjakun tonë në rremba!
Ç’do të bëhesh, ku do të mbytesh
Në vetminë terr me gjemba
Pa dashuri,
                  pa dashuri,
                             pa dashuri
Edhe përjashta, edhe përbrenda?

Kur këtë frikshëm mendoj,
Shijen e vdekjes
E ndiej në shpirt
Pashmangësisht,
E ndiej në gojë
Pambarimisht,
Të ardhmen mallkoj,
                           mallkoj,
                                        mallkoj…
Oh, sa e skëterrshme
Kjo përvojë!