Elena Ferrante: Nënën time e doja dhe e urreja…

grua ankthi

Nga Elena Ferrante

Për një kohë të gjatë, mendoja se të reshtja së dashuri nënën, ishte mënyra e vetme për të dashur vetveten.

Nëna ime ishte shumë e bukur dhe shumë e mençur, si të gjitha mamatë, kështu që e doja dhe e urreja atë. Fillova ta urrej kur isha rreth 10-vjeç, ndoshta ngaqë e doja aq shumë saqë ideja se mos e humbisja më zhyti në një gjendje të përhershme ankthi, dhe që të qetësoja veten m’u desh ta nënvlerësoja atë.

Ndonjëherë më dukej aq e bukur dhe e zgjuar, aq sa të tjerëve do u dukesha po aq e shëmtuar dhe e pamend. Nuk arrija të mendoja asgjë nga mendja ine; në mendjen time gëlonin vetëm mendimet e saj.

Ndjehesha e ndrydhur, e torturuar nga mania e saj për rregullin, nga shijet e saj jashë mode që ua zinin frymën të miave, nga mendimi i saj i të drejtës dhe të padrejtës. Për një kohë të gjatë, mendoja se po të reshtja së dashuri atë, ishte mënyra e vetme që kisha për të dashur vetveten – madje, të kisha një vetvete për të dashur.

Një fill i padukshëm, që s’mund të këputet, na lidh me trupat e nënave tona: nuk ka asnjë mënyrë se si të shkëputemi, ose të paktën unë nuk ia kam dalë dot mbanë. Është e pamundur të rikthehesh në barkun e saj; është e vështirë të hedhim pas krahëve hijen e saj.

Kështu që, shpejt e shpejt vendosa plot njerëz të tjerë midis vetes dhe asaj – persona për të cilët unë mund të isha shefi, të grindesha, të bëja dashuri, t’u dukesha e mençur ose budallaqe – të ndërtoja një botë të kundërt me të sajën. Doja ta bëja të ndihej në siklet në qoftë se thjesht do guxonte ta shikonte: gjë që ndodhte shpesh, dhe ajo ia mbathte heshturazi.

Me kalimin e viteve, ajo u tërhoq. Ajo u mplak, humbi bukurinë dhe zgjuarsinë, filloi ta zbehte epërsinë e saj në gjithçka, fjalët e saj nuk kishin më peshë.

Për njëfarë kohe u ndjeva e lirë. Më pas, njerëzit filluan të shprehnin gjëra të tilla si: “Qeshni si nëna juaj, jeni kokëfortë si nëna juaj, keni duart e nënës suaj”. Një mëngjes e pashë veten në pasqyrë dhe m’u bë sikur pashë atë: ajo ishte atje, në trupin tim. Dhe për habinë time filloi të më shqetësonte gjithnjë e më pak; dalëngadalë fillova ta gjeja në gjestet e mia, në një mënyrë krejt të veçantë për të shfaqur apo kontrolluar ndjenjat, në zërin tim. Nëse ishte e pamundur të kthehesha andej nga kisha dalë, kishte shumë gjasa që ajo të kishte qenë brenda meje që në lindje, madje atë mund ta gjeje brenda meje edhe kur rrekesha me shpirt t’i mbathja prej saj – edhe kur mendoja se isha çliruar prej saj.

Në momentin kur kuptova se të zbuloja veten nënkuptonte të zbuloje atë, për më tepër ta pranoja dhe ta doja ashtu siç bëja kur isha ende fëmijë, u ndjeva e lehtësuar. Ndonjëherë pajtimi merret si aftësia e mundshme për të harruar padrejtësitë që kemi pësuar. Dhe ndoshta është e vërtetë, por jo në marrëdhëniet që kemi me nënat tona. Unë u pajtova me timen vetëm kur ndjeva këto gabime – ajo që më dukej e gabuar – si pjesë e imja, thelbësore për formimin tim. Kaq thelbësore, saqë tashmë më duken si trillime të miat, një ekzagjerim me ngjyra flakëritëse./(konica.al)

Përktheu: Migena Elezi


Lexo edhe:

ÇELA: KËTU, MJALTA ËSHTË MË E HIDHUR SE ÇDO HELM!

ObserverKult