Elida Rusta: Na duhena bukur

Poezi nga Elida Rusta

M’u duk pak çka shkrova dje për ty,
e po nisi me shkrue prej fillimit
Na duhena bukur,
as shumë vonë si te Markezi,
as shumë herët si te Lolita.
E kam kryet pa flokë,
në krahnorin tánd të butë.
S’kam dert
deri nesër të paktën.
I jam nënshtrue amelsisë tánde.
Le të ikin táná sendet e tepërta,
thonjtë e eshtrat pa lëkurë,
Piqem në gushtin e buzëve të tua.
Mban mend?
Para shumë vjetësh
t’kam shkrue prej pyjeve.
Me sytë si t’drenushës
kur duen me e plagos
t’jam lut
mos me i pi prrojet ku rrjedh háná,
se disku i saj t’mbetë në fyt,
peshqit të ikin prej ujnave të syve,
nuk muj me pá hijen téme përmbys
në sytë e kaprojve,
as diellin e mjerë që zbret
me shtagën e rrezeve
si plak pjerrtësisë së pyjeve
ku ketrat shpesh u harrojnë vendin farave t’mshefuna
e pylli bán festë.
Kjo ásht festa jonë,
në një lëndinë t’humbun,
ti ke ándrrat e bletëve në buzë,
unë me kryet pa flokë,
s’kam dert deri nesër.
Shportë e thurun
me lastarë shelgjesh lotues
që qajnë hala
për ikjen e zogjve te trembun të Shirokës,
për mbytjen e mjelmës në liqé t’dhimbjes,
me “oh” e “ahe” si petale lulesh.
Këto janë rreshtat e tu
që i mbylle në shtatëqind dryna,
ato kohë kur shkove me u rrit
e mbete po aq.
Ah tiii!
Xhind me llambën e kuqe të fatit tim në dorë.
U djegsh në mall,
flaka të daltë!
Hirin tém hidhe prej ballkoni,
të mbulohem me humusin tim.
Ndoshta
mbijnë njerëz má t’mirë në katin e parë
e ashtu kat pas kati,
qiell pas qielli,
deri te i shtati.
Merre tash qiellin,
shihi njerëzit prej dritares,
ti je dritë e nji bote tjetër,
të lejohet me pá prej nelt,
me u deh thërrmueshëm,
në hánën jeshile të syve të mi.
Nisu drejt qiellit shpirti jém,
veç nji herë lejohet.
Ndoshta vdesim tuj u dashtë…

ObserverKult


Lexo edhe:

ELIDA RUSTA: DIKUJT I NDIHET ERA E KEQE E SHPIRTIT PREJ LARG…

Nuk u lodha shumë atë të shtunë. Punova shpejt. Isha mirë aq sa fillova të fërshëllej si djalë haram nëpër shtëpi. Kështu jam sa herë mendoj ëmbël. Aty nga muzgu dola për të ecur si çdo natë. Arrita deri ku i kam vënë cakun vetes dhe u ktheva.

Pak metër larg bibliotekës “Marin Barleti”, tek kisha humbur në nostalgjinë e njërës qoshe të saj, pasi aty më dhuruan lule kur isha studente, pashë një djalë esmer që nuk po m’i ndante sytë. Ishte i veshur si mos më keq dhe dukej i stresuar. M’u bë se po më priste. Në sekonda u vrenjta si grua zakoni e djali po atë moment më foli në anglisht…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU