Elida Rusta: Puthje në kujtesë

Fluturova shpirt,
me pak hánë e diell në xhepa,
si vajzë e rrëmbyer që gjithnji merr n’thue
qiellit tand.
Grue kuarci që djeg çelik
e nuk blue sende të buta.
Në asnji oqean nuk hidhesh me u mshef,
asht si me hedh dromca zogjve
me ju ndal fluturimin.
U çmenda tuj t’prekë prej larg.
Askund s’ka mjegull as hije
që t’mshef prej syve të shpirtit.
Burrë në burrë,
qiell e lulishte,
të kam pá qysh due
me dritë e buzëqeshje.
Asnji stuhi s’më zén bri teje.
T’i njoh ofshamat,
aromën e trupit e dehem.
Perla jote má e bukur se Valbona,
Buna e Drini
të ka puthje në kujtesë,
si gjurmë Dinosauri mbi gurë.
Ti m’nisë dath nëpër borë e xhama t’thyem,
ferra e zall të nxehtë,
me nji puthje bujare
djep të rritjes téme.
Je flaka e dragoit,
dhamt e tij t’mbjellun
me u bá shkronja për libra.
Toka shkon e ti nuk humbë,
kthehesh në dritë.
Unë shkoj ku të duash,
themelet e kishës në kodër
i kam në shpirtin tánd
e kryqin,
kryqin e kanë shpikë për mue jo për Jezusin.
Kryqi jém má i bukur je,
hej se ku ma i shenjtë se ai i Jeruzalemit.
Ti je Jeruzalem e Dardani për mua.
Sa herë vdes,
e pi nji molekulë tánden
me i hapë sytë.
M’u harroftë emni në të harrofsha!
Në lotin e synit mbi oqean,
rritesh veç ti!