Ëndërrimtari që dërgoi 300 letra dashurie

Ishte një intelektual me një përkushtim të madh politik, civil dhe kulturor, një nga tregimtarët më të rëndësishëm italianë të fundit të shekullit XX.  Italo Calvino ndoqi shumë nga tendencat kryesore letrare të kohës së tij, nga Neorealizmi në Postmodernizëm, por gjithnjë duke mbajtur një distancë të caktuar prej tyre dhe duke përvijuar shtegtimin e tij personal dhe të qëndrueshëm kërkimor.

Romancieri, tregimtari, studiuesi dhe gazetari Italo Kalvino lindi në Kubë më 15 tetor 1923, me prindër italianë, e ëma do t’i vinte emrin Italo për të mos harruar origjinën. Nga përkushtimi i tij rinor në rezistencën Oulipo, duke kaluar nër rrethet letrare të Romës në vitet pesëdhjetë. Me gjithë botimin e “Vetmitar në Paris”, Italo Calvino ka qenë gjithmonë diskret sa i përket jetës personale. “Kam një dëshirë të pafund t’ju puth…”. Kështu e mbyllte ai letrën drejtuar aktores së njohur italiane Elsa de’Giorgi. Gjatë tre viteve sa zgjati lidhja e tyre deri më 1958, Kalvino i shkroi së dashurës së tij 300 letra. Gjatë asaj kohe, aktorja ishte e martuar me një aristokrat italian. Historia sekrete e dashurisë u bë publike vetëm disa vjet më parë nga media italiane, e cila publikoi dhe disa nga letrat plot pasion të shkrimtarit… i njohur si një nga shkrimtarët italianë më të rëndësishëm pas luftës, Italo Kalvino u mundua ta mbante të fshehtë jetën e tij private gjatë gjithë jetës.

Sidoqoftë, u bë i njohur që në moshën 29-vjeçare, pas botimit të romanit të tij të dytë: “Vikonti i përgjysmuar” – Përpiquni të përfytyroni një njeri të përgjysmuar që endet në një kështjellë mesjetare, i cili ndan dysh gjithçka i prek dora: bimë, kafshë, sende! Përshkrimi është aq mjeshtëror, sa lexuesi që e ndjek këmbakëmbës anën e djathtë të vikontit me “maninë e Neronit”, nuk dyshon për asnjë çast se është duke lexuar një trill. Përfytyroni edhe gjysmën tjetër të vikontit, atë të mirën, që vjen e i ngjitet pjesës së parë. Padyshim këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ndarje a bashkim anatomik të trupit. Kjo është mënyra e Kalvinos, për të treguar se e mira dhe e keqja bashkëjetojnë.

Për Barthes, Kalvino shkruante në kreshtën midis realizmit dhe jorealizmit. Fillimisht i tunduar nga neorealizmi, trillimet e Italo Kalvinos së fundmi u kthyen drejt një shpërfytyrimi të faqes së realizmit përmes formatit të përrallës ose fabulës.

Koleksioni i tij privat i bërë publik pjesërisht nga familjarët dhe biografët, nxjerr në pah një burrë plot dëshira, i cili ka ditur të bëjë gjithë pasion dy jetë… Sekreti ishte një element frymëzues në krijimtarinë e shkrimtarit.

Në panoramën letrare italiane, mbas botimit të përmbledhjes “Tregimet” (1958) dhe sidomos të vëllimit “Të parët tanë” (1960), që përfshin trilogjinë e romaneve fantastikë dhe alegorikë për njeriun bashkëkohor: “Vikonti i përgjysmuar”, “Baroni kacavjerrës” dhe “Kalorësi i paqenë”, shfaqet si më origjinali ndër shkrimtarët e rinj. Gjatë këtyre viteve boton dhe esenë e rëndësishme “Fuqia e luanit” (1955), si dhe përmbledh dhe përkthen “Përrallat italiane” që botohen më 1956, vit në të cilin ngjarjet në Hungari e bëjnë që të shkëputet nga Partia Komuniste Italiane dhe të heqë dorë nga një angazhim i drejtpërdrejt politik.

Italo Kalvino ishte një ëndërrimtar i shqetësuar, siç mund të jenë disa të majtë, mirëpo shqetësimi nuk i vinte nga jashtë, si të thuash nisur nga pasioni i tij politik në kohën e Rezistencës kundër fashizmit, ku mori pjesë për një kohë të gjatë, as angazhimi i tij gjatë Luftës së Ftohtë në Partinë Komuniste, ku aderoi deri në ngjarjet e Hungarisë në 1956, madje as nga rryma letrare neorealiste, së cilës i përkasin tregimet e tij të para. Kalvino i kërkoi pengesat thellë brenda vetes, duke e shëruar në mënyrë paradoksale të keqen me të keqen. Kështu, për të humbur tendencën e tij natyrore për të ëndërruar, ai u vaksinua me doza të mëdha ëndërrimesh: “Sa herë që përpiqem të shkruaj një libër, – shënon ai në vitin 1978, – unë duhet ta justifikoj atë me një projekt, një program, kufizimet e të cilit më dalin sakaq para syve. Kështu që i përmbahem një tjetër projekti, shumë projekteve të tjera dhe kjo përfundon duke më bllokuar. Shpesh, në të njëjtën kohë me librin që duhet të shkruaj, duhet të shpik autorin që e shkruan, një lloj shkrimtari i ndryshëm nga unë dhe gjithë të tjerët, kufijtë e të cilëve i kam të mirëperceptuar…”.

Italo Kalvino u rrit në një familje ku nuk kishte vend kompromisi me parimet, si rrjedhojë Kalvino i vogël refuzon mësimin e fesë në klasë, i cili do të shkaktojë qortime dhe tallje të përsëritura nga shumë profesorë, por edhe nga shokët mizorë, apo nga thashethemet e përhershme se Italo është protestant.

Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri në fund të shekullit të 20-të, Italo Kalvino ishte individualisht i vëmendshëm ndaj evolucionit të ideve të kohës së tij (shkencat njerëzore, gjuhësia, teoritë narrative …). Aktori i debatit për rolin e intelektualëve, për funksionin e letërsisë në një botë ku fusha e ideologjive gradualisht i është nënshtruar perandorisë së shenjave dhe imazheve, ai ka kërkuar, gjatë gjithë punës së tij, të përcaktojë specifikën e funksionimit të mekanizmit letrar dhe romantikes në lidhje me labirintet e botës. Pafundësisht, vepra e tij do të përsërisë këtë profesion besimi: “Nëse përvoja më e fundit më çon në një ligjërim që mishëron shumëfishin e botës në të cilën jetojmë, unë vazhdoj të besoj se nuk ka zgjidhje e vlefshme estetikisht, moralisht, historikisht, e cila nuk kalon në themelet e një stili”.

Kalvino boton një sërë shkrimesh në “Corriere della Sera” e më pas te “Republica”. Më 1979-ën, romani i tij “Nëse një natë dimri një udhëtar”, kthehet në bestseller. Më 1980 transferohet në Romë dhe boton një përmbledhje të eseve të rëndësishme. Më 1985 ftohet të mbajë një seri konferencash në SHBA në Kembrixh, në Universitetin e Harvardit, përgatit librin “Leksione amerikane”, i cili do të botohej pas vdekjes së tij më 1988.

Italo Kalvino vdiq nga hemorragjia cerebrale më 19 shtator 1985 në Siena (Toscana), në moshën 62-vjeç. Që atëherë, vepra e tij ka hyrë në ujërat e qeta të klasikëve, larg nga trillimet dhe neveritë e viteve të kaluara./Konica.al