Ernest Koliqi: Unë s’e njofta mâ veten t’ime…

Ernest Koliqi

(Kushtue kujtimit të Dom Lazër Shantojës)

A e njef ti, or vëllá, at dobsim shpirtnuer qi me nji fjalë të përditëshme quhet mërzí? Idhnija e trishtimi janë pjellorë. T’a shporojnë shpirtin, por edhe nxjerrin prej si visare-ashtu si plori nga bûcat e tokës së thyeme. Mërzija të veshkë ndiesít mâ të njoma, të thanë fuqít mâ të thella.

Âsht e shterpë.
Mërzija në mars m’a breu krenín e më plandosi shpirtnisht në nji âmtí qi shtrîhej mbi mue si nji qiell pa hyj, so nji qiell nate qi nuk pret agim.
Për me qênë poet, duhet të jésh krenar. Duhet të késh guximin me thânë: -Un këndoj për ata njimijë vetë qi heshtin e presin m’u shprehun nëpër zâ t’im.
Mëkat âsht krenija, por mëkat i nevojshëm për poetin.
Mëkat pjelluer si idhnija e trishtimi.

E në mars, or vëllá, ky mëkat i stërfuqishëm u zhduk prej shpirtit t’im, i dëbuem nga nji mërzí dërmuese qi më kapërtheu unjí edhe më bâni të përbuzi kujtimet e përvojën mâ të çmueshme të kalesës dhe të shikoj pa kurrnji shpresë të ardhëmënín. Jetojshëm në nji të tashme pa shkas.
Prilli më shpëtoi.
Ky muej plot hir më gjeti në Helvetí,
Kishem brí meje nji mik vëllaznuer.

Ai s’u kujtonte për prendimin e çdo lakmije në mue, por fjala e tij padeshtas mërzís s’eme i caktoi megje dhe s’e la m’u zgjâ aqë në shpirt sa me më tretë çdo shije gjallese.
N’ato male blerojnë livadhet mâ të bukura qi përmban kjo botë. Endeshim me vëllán shpirtnuer maje në maje, por syni i em, rrethue si prej nji mjegulle tymtuese, nuk e shijonte gjith’ at bukurí. Më dermojshin netët pa gjumë, tue m’a topitë mpreftësín e shisevet.

Më lodhte nata jo dita me ecje të padáme. Rrijshem tue pritë driten me sy në tavan, lëshue në nji rrymbë mendimesh pa ngjyrë, të kota, t’amullta, qi as nuk më rrokollisshin në plaskom të deshprimit as nuk më qitshin ke bregu i shpresës.
Por nji natë më mori gjumi me lehtësí porsa mbështeta kryet në kúltër” nji gjumë i randë, i thukët, pushues si ai gjumi qi kapë çilimijt mbas lojnave zdritë synit të nânës vërejse.

E, në mëngjes, më zgjoi Prilli i Helvetís tue trokllitun në dritore të mija me tinguj gazmorë trokesh. Kërceva nga shtrati e hapa kapakët. Drita qi hyni m’u derdh mu në shpirt dhe m’a mbushi me haré të lehtë. Në paqin e qartë të mëngjesit kullotte nji kopé lopësh të larme në shpat gjelbruer aty ku rrezet e para shkojshin me pushue mbi barin mâ të kandshëm qi panë kurdoherë këto syt e mij, prorë dashamirë besnikë të ngjyrave dhe të flakimit të tyne në lojna të dritës.
N’at mëngjes helvetjan Prilli më pajtoi me Poezín.


Kush e përshkruen bukurín stërmahnitëse t’ande, o kopësht i lulzuem mollash, qi me vezullove para syve në të dalme nga praku i shtëpís së mikut. Përtej mrèkullit të bardhë t’atij kopështi, valët e lulmit diku në dritë diku në hije pasqyrojshin kthuelltín e nji qielli të lum. Pyjet tërmaleve kishin nisë m’u njethë dhe dalkadalë me ndrrue ngjyesinën e ufullt dimnore në nji blerim flakues.

Bletët bâjshin darsëm e zhumhurë tue vlue nëpër gardhiqe, plym mbi bula shpërthyese. Nëpër ajr lëvizte si nji âmë mjaltë.
Ishte mjalta e prillit, mjalta e Poezís qi ngjyente shpirtënt t’onë.
U futem në nji shteg dredha-dredha e u ngjitem nëpër nji pyll brejsh.

E befas, n’at të ngjitun, nji gazmim çuditshëm m’u dikue përmbrenda. Erdh tue m’u derdhun në gjak nji freskí e panjoftun. Gjaku m’u shëndrrue në nji musht prendveruer. Mrekullija bimore e metamorfozave pagane më pushtoi gjithunjí. Paganizmi i pyllit ngadhnjente në mue. Për nji ças e ndjeva veten bímë, landë, bré…

Ah, jo bré i atij pylli helvetjan por e ndjeva veten lis malesh t’ona. Hija e ime shkruhej aty n’at tokë të huej, por trupi im i vërtetë kishte rrâjët e veta shum larg, shum larg andej, të thellueme në nji shkamb të Malsís. Erna të paprituna më rrethuen e më shkunden. Majet e mija të blerta u valvbiten në qiell shqiptar. Langjet e dheut shqiptar u ngjiten e rrëshqiten gjatë mishit t’im. Isha pjesë e pandáme e shkambit arbnuer.
Qe vetëm nji ças por ngjati sa krejt jeta.

E arrijtem me shokun ke nji lug value prej brejve të pyllit qi veç paksá lêjshin me depërtue dritën e ditës. uji i kulluet, n’at lug, rrëzohej nga nji shkrep me gulfime të borta shkumbe. Mâ poshtë ai uj qetohej e, para se me rrjedhë si çuterr nëpër pyll kah fusha, mblidhej e pushonte në nji gropë picigjate shtrue me guraleca t’imë. Brejt lëshojshin të tanë blerimin e tyne n’at gropë të qartë në gjymsaterr të lugut.

Aty pash fytyrën t’ime.
N’at pasqyrë unë vërejta nji Narçiz të lodhun, me nji rrudhë dyshimi në ball. Kishte humbë, dashunori i krojeve, krenín e dikurshme. Tashti i u lexonte, në fytyrë të tretun e të zymnueme, mëshira për at qindresë të nji drite andrrimesh gjithënji zbétas vetuese në bebet e syve dhe në skâje të gojës.

E i thaçë vetvetes:
-Ku shkoi dalldija e rinís së parë. Ç’u bâ krenija e buzve kângatare, shkëlqimi i syve plot fuqí andrrimi? Si mbaroi bsimi me gjetë në vetvete nji bukurí së pashoqe saqi mos me pasë nevojë për gëzim tjetër? Fytyrën t’a ka bré dyshimi. Iku njomsija agimore. Përkulju ligjve t’Urtís së zakonshme, o kryengritës i mujtun. Arratija prendverore deshtoi. Mbushja menden vetes se jé sit ë gjithë tjerët, me nji vlerë mâ të pakët se shum tjerë.
Shporrju ndërlikimeve shpirtnore e jetó jetën e gjithkuj.

Kërkó nji lumní të përvujtun e mos andrrò mâ lavdín e larit.
Kapa nji gur e i a turbullova sipërfaqen asaj pasqyre tepër të drejtë.
Por fatlumsisht Prilli prap ngadhnjei at ditë në mue. Sa këthei i qetë uji, tue u shikue rishtas në tê, zbulova në fytyrë t’ime bukurín e nji mysteri të vjetër.
E Prilli foli e tha:

-Sa pare bân fytyra e juej e brishtë me do vija ndrrojse qi deka shpejt do të shlyejë? Krení e falisun, o Narçiz, ajo qi me kërkue në qarkun e ngushtë të vetvetes nji bukurí ngushulluese, burim kângësh e frymzim veprimesh të shqueme. Po, nji bukurí ju të gjithë e keni në vete. Por s’âsht e jueja.

Âsht e gjakut trimij-vjeçar qi ushqen gjallnín e zêmrës s’uej. Lëshoju në ndiesí të freskët qi pak para t’a përshkoi trupin. Kërkoi fijet e rrâjve të tueja n’atdhé, atje ku tingullon e kuptueme kanga e jote. Mbas rrudhave qi lânë në fytyrë vjetët e shkimuna, mbas vijave të lodhuna qi skalitë dyshimi e fatkeqësija, duhet të gjêjsh rinín e amshueme të gjakut stërgjyshuer, prendverën e pasosme qi lulzon në thellësít e rracës arbnore.

Kështu më foli mue Prilli.
E rishtas unë ndjeva nji freskí të panjoftun tue m’u derdhun në gjak. Paganizmi bimuer i pyllit më pushtoi edhe nji herë. U bâna pré e bindun e shortís prenverore;u shëndrrova në bímë e në gur; jetova njimijë jetë të ndryshme njerzore. Njofta njiqind gëzime, njimijë mjerime. Zêmra m’u zmadhue për bind e u njipërnjisue me nji zêmër të madhe, vigâne, qi rreh bujarisht tash trimijë e mâ vjet.

Kur syni i im këthei m’u kundrue në pasqyrë t’ujit të huej, unë s’e njofta mâ veten t’ime: njimijë fytyra përmblidheshin në fytyrë t’ime. Ishin ato të të Parvet në të cilat gjatë mija vjetësh shkëlqei gjaku shqiptar.

*Shkëputur nga libri i Ernest Koliqit: Vepra 2*

Përgatiti: ObserverKult    

*Titulli i origjinalit: “Nji çuterr në Helvetí”

ObserverKult


ernest koliqi

Lexo edhe:

ÇKA MENDONTE ERNEST KOLIQI PËR POLITIKËN E KULTURËN?

Nga Ernest Koliqi

-Bota shqiptare ka ndrrue dhe vjen tue pësue ndrrime dita ditës.
E, kur thomi “bota shqiptare”, përfshijmë në kët shprehje mbarë gjinden qi flet shqip dhe ndjek frymën e traditave jetike arbnore: d.m.th. gjinden e gjakut t’onë mbrenda e jashtë kufijvet të shtetit shqiptar.

Bijt e Shqipnisë janë të përhapun në mbarë rrokullin toksore (“ gjaku inë i shprishur”) dhe të gjithë, me të rralla përjashtime, i ndiejnë të gjalla në zemër lidhjet me vendin ku lindën ata vetë ose prej kah i u erdhen të parët.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult