Esenin: Ndofta desha unë në këtë jetë…

sergej esenin

Ne tani do ecim dalngadalë
n’atë vend ku ka veç qetësi,
ndofta ndodh në rrugë duke dalë,
të takoj katunde dhe vetmi.

Ju berioza, pyje dhe korie,
ju rrafshina rëre dhe ti dhé,
para jush, ku mjegull tutje bie,
mallin tim nuk mundem dot ta fsheh.

Ndofta desha unë në këtë jetë,
gjith’ ç’shoh e ç’duket, barabar;
botë shelgjesh që shpërndajnë degë
dhe rrëzohen ujrat si ar.

Shumë herë vetëm kam menduar,
shumë këngë munda t’i këndoj,
prapëseprapë, në botën e trishtuar
jam i lumtur që marr frymë e rroj.

Jam i lumtur që një grua putha
dhe mbi bar dikur u shtriva rrah,
egërsirat s’erdhën tek ne nga tufa
dhe njeri në qafë nuk na ra.

Unë e di, s’ka pyje të praruar,
zë nuk nxjerr as thekri, asnjë gjeth.
Për këtë në ëndërr duke shkuar,
gjithnjë ndjej diçka se më rrëqeth.

Di se vend të tillë s’ka patjetër,
shelgje s’ka t’artë krejt atje,
për këtë dhe njerëzit dua tepër,
që jetojnë me mua përmbi dhè.

Shqipëroi: Dhori Qiriazi

——-

LEXO EDHE: SERGEJ ESENIN: NDAJ DASHUROJ TË PARËN HERË

I kaltri zjarr e fshin çdo ferrë
Dhe çdo kujtim që brenga ngjall,
Ndaj dashuroj të parën herë,
Të parën herë s’bëj skandal.

Kam qenë dje si kopsht i prishur,
Me gratë i hidhur lakmitar,
Tani me pijen jam mërzitur
Dhe jetën s’dua ta bëj varr.

Dhe sot vështrimin hedh drejt teje,
Të shoh në gjeratore sysh…
Megjithse llumrat i urreje,
S’më flake dhe s’u ndamë dysh.

O hap thëllëze, afsh fustani,
Sikur ta dije ti vërtet,
Si dashurohet huligani,
Si bëhet pulë e gëk nuk flet!

Mejhanet krejt do t’i harroja,
Në djall çdo varg e poezi,
Veç dorën tënde ta lëmoja
Dhe flokun, -vjeshtën në flori!

Bëj çmos që tok të dy të rrimë,
Për ty dhe tokën time fal…
Vërtet këndoj sot dashurinë,
Vërtet tani nuk bëj skandal.

Shqipëroi: Dritëro Agolli

LEXO EDHE: SERGEJ ESENIN: MUND QË NESËR TË DUA NJË TJETËR…