Esmeralda Shpata: Paguaj faturën për shërbimet, pastaj vdis

Esmeralda Shpata huaj

Nga: Esmeralda Shpata

Zoti ka bërë autostop.
Besoj, ka ardhur nga ndonjë kohë a vend tjetër dhe ka mbërritur këtu te ne.
Më ka kapur një dhimbje e fortë zemre, ka tre-katër ditë, por nuk jam ankuar aq, nga frika se këto ngjarjet e fundit mund të ma sjellin të përndriturin para syve. Nuk di çfarë do të bëj po ta shoh me sytë e mi.

A do ta di gjuhën e tij e të merrem vesh pa ndërmjetës?!
Për hir të fjalëve dhe për nder të të gjithëve, i ka vënë njerëzit grupe-grupe dhe po i peshon sa vlejnë dhe sa qetësi kanë së brendshmi.

Me gratë tregohet indiferent, i lë të shkojnë pa ua hedhur sytë fare. Në fillim, kjo i mërziti ato. Por, kur e kuptuan se ai të ngratat i mbante për të denja, e hoqën atë barrë të mundimshme. Të gjitha ulin kokat nëpër dhomat e tyre të gjumit dhe luten.
Me fëmijët ka lidhje të shkëlqyera, vallëzon i shkujdesur rreth tyre dhe zor se të vete mendja të ketë ndonjë plan djallëzor për ta në ato çaste.

Ka mbledhur një grup burrash dhe ka zgjatur kokën te dritarja ime, kërkon t’i bashkohem grupit për ta ndier praninë e tij. Nuk më mbajti vendi, me shpresë dola jashtë.

Ty të kërkoja, – më tha.
Unë, duke u dridhur, u afrova. Frika ime e ndihmoi për mos ta përdorur forcën e tij bindëse. Isha mpakur brenda zemrës, është tepër e pamundur për ta përballuar shikimin e tij depërtues. Po merrja frymë me vështirësi dhe i gjithë trupi po më dridhej.
Ashtu në hall, siç isha, qava. U kthye nga unë dhe më kapi nga supet.

Do të ta gjeja një mjek, – më tha, – por nuk kam marrë asnjë me vete, këtej rrotull nuk njoh asnjë, njërin e ndaluam në mes të sheshit, të tjerë nuk ka. Meqenëse të kam marrë shumë përzemër, po ta them para këtyre burrave të fisshëm se do të merrem vetë me ceremoninë tënde.

Tekembramja, më rregulloi supet, më fshiu lotët mbi fytyrën e zbehtë, më lidhi këpucët me një përulje solemne dhe më dha bekimin.
Hyra në shtëpi i dërrmuar. Nga mendja nuk më shqitej shkëlqimi i një lopate të ndritshme, të cilën e mbante pak si në të fshehur një burrë nga ata të grupit shoqërues.
Askush nuk po më gjendet pranë për t’ma zbutur përfytyrimin e ftohtë të varrit. Ndërkohë, poshtë derës, si nga një tjetër realitet, futet një pusullë me kryqin e kuq mbi të.

Duke u dridhur, rrëshqas në majë të gishtave me një shpresë të vagullt, kërrusem dhe zgjas dorën, e marr pusullën dhe e lexoj duke m’u marrë goja:
“Paguaj faturën për shërbimet, pastaj vdis.”
Juaji, Zoti!

*Titulli i origjinalit: “Fatura të nëpërdukshme”

ObserverKult


Lexo edhe:


“KUR VDESIN TË VDEKURIT? KUR TË HARROHEN…” DHE THËNIE TJERA PËR VDEKJEN