Fletërrufeja për Lasgush Poradecin: Pse ju shok mbani prej një kohe të gjatë pa dorëzuar librin e Bibliotekës?

Fletërrufeja gjatë regjimit komunist në Shqipëri ishte zakonisht një letër e madhe si afishe. Ajo kishte në krye, me shkronja thuajse gjithnjë të kuqe e si titull, vetë fjalën “Fletërrufe” dhe më pas emrin e personit të cilit i drejtohej.

Më 6 shkurt 1967 Enver Hoxha mbajti të ashtuquajturin “Fjalimi i 6 shkurtit”, me të cilin në jetën e qytetarit të Shqipërisë së asaj kohe hyri Fletërrufeja. “Cilido me zë të lartë dhe me gërma të mëdha të shkruajë se ç’mendon për punën dhe për njerëzit”, ishte porosia e Enver Hoxhës.

Pas kësaj, fletërrufeja u përhap me shpejtësi si një element i ri në “shtypin e murit”

Fletërrufeja gjatë regjimit komunist në Shqipëri ishte zakonisht një letër e madhe si afishe. Ajo kishte në krye, me shkronja thuajse gjithnjë të kuqe e si titull, vetë fjalën “Fletërrufe” dhe më pas emrin e personit të cilit i drejtohej.

Fletërrufeja varej zakonisht në mur, në hollet e hyrjes së shkollave e ndërmarrjeve. Por edhe jashtë, nëpër rrugë e sheshe, ndonjëherë edhe në trungje pemësh. Shumë njerëz u vunë në shënjestër e u nxorën thuajse në bankën e të akuzuarve për “krime” të ndryshme, nëpërmjet fletërrufeve, transmeton ObserverKult.

Ato i bënin një ose më shumë njerëz dhe i drejtoheshin një njeriu apo një grupi njerëzish. Në përgjithësi ngriheshin për probleme ekonomike politike, shoqërore, kulturore, ideologjike, por edhe personale.

Subjekti që kritikohej, normalisht si rregull jepte përgjigje. Në rast të kundërt, fletërrufeja përsëritej disa herë.

Një prej të “fshikulluarve” me fletërrufe në vitin 1972 ka qenë edhe kolosi i letrave shqipe, Lasgush Poradeci.

Referuar dokumentit që është publikuar për herë të parë nga e bija e tij, Maria Poradeci, shkrimtari “goditej” për shkak të një libri që prej një kohe të gjatë nuk po e kthente në Bibliotekën Kombëtare. Madje paralajmërohej duke i kujtuar edhe dënimin në bazë të dispozitave të Kodit Penal.

Më poshtë gjeni tekstin e plotë të kësaj fletërrufeje të afishuar nga Biblioteka Kombëtare:

FLETËRRUFE
Shokut Llazar Gusho

Pse ju shok mbani prej një kohe të gjatë pa dorëzuar librin e Bibliotekës Kombëtare?

Libri që ju mbani jashtë afatit të caktuar e presin ta lexojnë dhjetra e dhjetra qytetarë të tjerë

Pse ju bëheni pengesë për përhapjen dhe leximin e librit?

A nuk është ky një qëndrim i pahijshëm dhe shkelje e disiplinës proletare?

A e dini se veprime të tilla i lenë shteg dëmtimit dhe shpërdorimit të fondit shtetëror të librit?

A e keni parasysh se përvetësimi, shkatërrimi ose dëmtimi me dashje i librit dënohet si krim në bazë të dispozitave të Kodit Penal?

Korrigjohuni dhe ktheni menjëherë librin në bibliotekë brenda datës 25/2/72.

Përgatiti U.V/ ObserverKult

Lexo edhe:

LETRA E DASHURISË E LASGUSH PORADECIT PËR GRUAN ME EMRIN SHQIPE