Foto e rrallë e Ismail Kadaresë kur ishte nën internim

Gjeniu i letrave, Ismail Kadare festoi së fundi 85-vjetorin e lindjes. Një nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë, mori jo vetëm urime të shumta, por edhe qindra falenderime për kontributin e madh letrar në Shqipëri që nga koha e komunizmit e deri më sot.

Ndër veprat e tij më të spikatura është edhe poema “Pashallarët e Kuq”, e cila i ka hapur jo pak telashe Kadaresë.

Kur kjo poemë i ra në dorë Enver Hoxhës ai e quajti “akuzë e rëndë për udhëheqjen e partisë”, madje Kadarenë e quajti “poet korbash”.

Kështu, Kadare u ndëshkua me vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit dhe paralajmërim për përjashtim nga Partia. Iu ndalua botimi i romaneve të reja, u internua fillimisht në Fier, e më pas në moçalet e Myzeqesë, ku duhej të hiqte dorë nga shkrimi dhe të mësonte të “kontribonte në mënyrë produktive në të mirën e kombit”.

Fjala.al ka siguruar një foto ekskluzive pikërisht nga koha kur Kadare, ishte nën internim në Fier, rreth viteve ’75.

Në cepin e djathtë të fotos, është agronomi Mihallaq Janku, që bëri të mundur realizimin e kësaj fotografie./fjala.al