Tregim nga Franz Kafka: Dialog me të përshpirtshmin

Franz Kafka

Nga Franz Kafka

Një herë e një kohë shkoja për ditë në kishë, pasi një vajzë, të cilën e dashuroja, rrinte aty e përgjumur gjysmë ore, duke u lutur, kështu që mund ta kundroja i qetë.

Një mbrëmje vajza nuk kishte ardhur dhe unë, i mërzitur, rrija e vështroja besimtarët. Atë hop më tërhoqi vërejtjen një djalosh hollak, i shtrirë për tokë. Herë pas here zinte kokën në mes të duarve dhe, duke psherëtirë, e qëllonte me të rëna të forta e pastaj sërishmi i mbështeste pëllëmbët në dysheme.

Ato pak plaka që ishin në kishë, kthenin shpesh kokat e mbështjella nga besimtari i çuditshëm. Ai dukej sikur gëzohej që u tërhiqte vëmendjen; para se të niste shpërthimet e devotshmërisë, hidhte një vështrim përreth që të sigurohej a kishte publik të mjaftueshëm. Kjo gjë m’u duk e pakëndshme dhe vendosa që, sapo ai të dilte nga kisha, t’i afrohesha dhe ta pyesja përse falej në atë mënyrë. Me një fjalë do ta keni kuptuar se nuk isha fare në qejf ngaqë nuk kishte ardhur vajza.

Ai u ngrit vetëm pas një ore, me kujdes të madh bëri kryq dhe u drejtua nga uji i bekuar. Unë zura vend në mes të derës dhe ujit të bekuar dhe kisha vendosur mos ta lija të kalonte pa i kërkuar shpjegime.

Shtrembërova gojën, siç bëj gjithnjë paraprakisht kur dua të flas, çova përpara këmbën e djathtë dhe u mbështeta tek ajo, ndërsa e majta prekte paksa dyshemenë me majë vetëm që të fitoja qëndrueshmërinë; po ai siç duket më kishte parë me bisht të syrit, ndërsa lagte fytyrën me ujin e bekuar, apo mbase më kishte vënë re edhe më parë, pasi papritmas u lëshua drejt derës dhe doli turravrap. Dera me xhama u përplas pasi dola edhe unë; djaloshi ishte zhdukur në njërën prej rrugicave të shumta që nisin aty në mes të një trafiku të dendur.

Ditët që pasuan nuk e pashë dhe vajza ime u kthye. Ajo kishte vendosur një petk të zi me tantela të nëpërdukshme mbi supe, të cilat përmbi jakën e mëndafshtë me prerje të përsosur, bënin të dukej trajta gjysmëhënë e këmishës. Vajza u kthye dhe unë e harrova djalin dhe as që u mora më me të, kur nisi prapë të vij e të falej sipas mënyrës së tij. Përherë më kalonte përpara me nxitim dhe kthente fytyrën. Mbase prej kësaj e mendoja gjithnjë në lëvizje; edhe kur nuk luante nga vendi, më dukej se bridhte tinëz.

Një herë u ktheva vonë në shtëpi. Megjithatë shkova në kishë. Vajza nuk ishte aty. U mata të dal kur e pashë djalin të shtrirë në dysheme. Më erdhi ndërmend ajo historia e vjetër dhe u bëra kureshtar.

Rrëshqita drejt derës në majë të gishtave, i dhashë një monedhë lypësit të verbër dhe qëndrova pranë tij te dera e hapur kat e kat; aty ndenja një orë, kushedi me çfarë shprehjeje prej finoku në fytyrë. E ndjeja veten rehat dhe vendosa të kthehem edhe herë të tjera. Po pas dy orësh m’u duk marrëzi të rrija aty për atë njeriun e përshpirtshëm; megjithatë për inatin tim lashë që edhe një orë tjetër të më ngjiteshin gjatë petkave merimangat, ndërsa njerëzit e fundit, duke nuhatur fort, dilnin nga errësira e kishës.

Më në fund doli edhe ai. Ecte me kujdes dhe para se të bënte një hap, këmbët e tij provonin tokën. U ngrita dhe me hap të vendosur e arrita djalin. “Mirëmbrëma”, thashë dhe e shtyva poshtë shkallëve te sheshi i ndriçuar, duke i mbajtur dorën në qafë.

Kur mbërritëm në fund, ai tha me zë të pasigurtë: “Mirëmbrëma, i dashur zotëri dhe mos u zemëroni me shërbëtorin tuaj të përvuajtur”.

“Po”, thashë, “dua pikërisht të ju pyes diçka zotëri; herën tjetër më ikët, po kësaj here nuk ju lë”.

“Ju jeni njeri zemërbardhë, zotëri dhe do më lejoni të shkoj në shtëpi. Jam njeri për t’i qarë hallin, ja kush jam unë”.

“Jo”, thirra ndërsa u dëgjua zhaurrima e tramit që po kalonte” nuk ju le. Pikërisht këto histori më pëlqejnë. Ti je peshk i mirë për mua. Madje lipset ta përgëzoj veten”.

Atëherë ai tha: “O Zot, ju keni zemër të ndjeshme, po një kokë prej hekuri! Le po më quan edhe peshk i mirë: sa njeri me fat duhet të jeni. Pasi fati im i keq është një fatkeqësi e paqëndrueshme, luhatet mbi një majë të hollë e, sapo e prek, bie mbi atë që më pyet. Natën e mirë, zotëri!”

“Dëgjoni këtu”, thashë duke ia shtrënguar dorën e djathtë, po nuk u përgjigjët do të bërtas këtu në mes të rrugës. Do të mblidhen të gjitha shitëset e reja që dalin prej tregtoreve bashkë me dashnorët e tyre, ngaqë do të kujtojnë se është rrëzuar kali i ndonjë pajtoni, apo diçka e tillë: unë do të të tregoj me gisht”.

Atëherë ai duke qarë nisi të më puthë duart. “Do të ju them gjithçka që doni të dini, po ju lutem ejani të shkojmë tek ajo rrugë”. Pranova dhe u nisëm.

Po nuk u kënaq me errësirën e rrugës së ndriçuar nga fenerë të rrallë e të mugët e më çoi në rruginën e ulët të një shtëpie të vjetër, para një kandili që rridhte, i varur mbi një shkallë prej druri.

Hijerëndë nxorri shaminë nga xhepi, e nderi te një shkallinë dhe tha: “Uluni, zotëri, kështu mund të më pyetni më mirë: Që t’ju përgjigjem saktë, po rri në këmbë. Po mos më torturoni”.

U ula dhe, duke e parë në fytyrë, thashë me mllef: “Ju jeni një i çmendur, i tërbuar, ja çfarë jeni! Ç’është ajo mënyrë sjelljeje në kishë? Sa gjë e shëmtuar dhe e pakëndëshme për t’u parë! Si mund të lutet njeriu me përulësi, kur është i detyruar të ju shoh?”

Ai ishte mbështetur i ngrirë te muri dhe lëvizte vetëm qafën. “Mos u zemëroni, përse duhet të zemëroheni për gjëra që nuk ju takojnë? Unë zemërohem kur sillem vetë keq, po kur sillet keq dikush tjetër, ndjej kënaqësi. Mos u zemëroni po t’ju them se qëllimi i jetës sime është që të më shohin njerëzit”.

“Çfarë thoni kështu?” thirra fort në atë rruginë dhe nuk pata zemër që më pas ta ul zërin. “E kam me gjithë mend, çfarë thoni kështu? Më duket se e kuptova që herën e parë kur ju pashë se në ç’gjendje ndodheni. Jam njeri që kam vozitur shumë dhe pa tallje po them se ju zë deti edhe në tokë.

Sëmundja juaj qëndron në atë se keni harruar emrat në tokë dhe tani atyre u vini rastësisht emra të tjerë. Shpejt, shpejt! mendoni. Po ama, sapo largoheni, i keni harruar emrat. Plepi i fushave, të cilin e keni quajtur “Kulla e Babelit”, se nuk e dinit, apo nuk donit ta dini se ishte një plep i thjeshtë, prapë luhatet pa emër dhe duhet ta quani “Noe i dehur”.

Shtanga kur ai u shpreh: “Gëzohem që nuk e kuptova atë që thatë”.

I shqetësuar, ashtu siç isha, thashë menjëherë: “Gëzimi juaj është prova që e keni kuptuar!”

“E pranoj se e dhashë një provë të tillë, zotëri; po edhe ju folët në mënyrë vërtet të çuditshme”.

Mbështeta duart mbi njerën nga shkallinat e epërta dhe në atë pozicion që s’e thyen dot dhe mundësit mbështesin shpëtimin e tyre, thashë: “Paskeni një mënyre të bukur për të shpëtuar, duke i bërë të tjerët të njëjtë me veten”.

Ato fjalë e gjallëruan. Shtërngoi duart për të mbledhur tërë energjitë dhe tha me një mundim të dukshëm: “Jo, nuk e bëj me të gjithë, nuk e bëj përshembull as me ju, sepse nuk ia dal në krye. Po do të isha i lumtur sikur t’ia dilja në krye, pasi kështu nuk do të kisha nevojë për vëmendjen e njerëzve në kishë. A e dini përse e ndjej atë nevojë?”

Kafka - përgjigj
Franz Kafka

Pyetja më sëkëlldisi. Jo, jo nuk e dija dhe më duket se as që doja ta dija. As që kisha dashur të hyja aty brenda, po ai njeri më kishte detyruar ta dëgjoja. Mjaftonte të tundja kokën për t’i rrëfyer se nuk e dija, po nuk qeshë në gjendje ta lëvizja as kokën. Njeriu që rrinte përballë meje, vuri buzën në gaz.

Pastaj u ul në gjunjë dhe me fytyrën të ngërdheshur, si njeriu që ka gjumë, më tregoi: “Kurrë nuk ka ndodhur që të jem i bindur për njëmendësinë e jetës sime: sendet që kam përreth më ngjajnë aq te rregjura, sa më bëjnë të besoj se jeta e tyre ka kaluar dhe po kridhen brenda hiçit. Parreshtur më mundon dëshira, i dashur zotëri, që të di si janë sendet para se të më shfaqen. Kanë një jetë të lumtur, të qetë: kështu duhet te jetë, shpesh dëgjoj njerëz që flasin për to në këtë mënyrë”.

Heshtja dhe shfaqja shqetësimin me ndonjë shtrembërim si padashje të fytyrës. Ai pyeti: “Ju nuk besoni se njerëzit mund të flasin kështu?”

Desha ta miratoja, po nuk munda.

“Me të vërtetë nuk besoni? Atëherë, dëgjoni. Një herë kur isha fëmijë, pas një gjumi të lehtë, pasdite, dëgjova se nëna në ballkon pyeste dikë poshtë, me zë fare të natyrshëm: “Çfarë po bën e dashur? Sa vapë!” Një grua u përgjegj nga kopshti: “Po ha zamrën në livadh”. Folën pa u menduar gjatë e pa harxhuar shumë fjalë, sikur njera e priste pyetjen dhe tjetra priste përgjigjen.

I bindur se do më bënte një pyetje, çova dorën te xhepi i pasmë i pantallonave, sikur diç kërkoja. Nuk kërkoja asgjë, vetëm doja të ndërroj qëndrimin, për të treguar interesin tim ndaj bisedës. I thashë se ajo histori ishte vërtet e çuditshme dhe unë s’kuptoja asgjë. Shtova se nuk më dukej e vërtetë, po atë ai e kishte sajuar për një arsye të cilën nuk e kuptoja dot. Pastaj mbyllja sytë se më dhimbnin.

“Mirë, mirë edhe ju mendokeni si unë: nëse më keni ndalur që të më thoni këtë, keni dhënë një provë të bukur altruizmi. Përse duhet që ju, apo përse duhct që ne të turpërohemi, nëse unë nuk ec i ngrehur, me paraqitje hijerëndë, duke rrahur kalldrëmin me shkop që të çajë në mes të njerëzve? Nga ana tjetër, a nuk do të kisha të drejtë të qahesha, që të ecja si një hije rrëzë mureve, me kokën në mes të supeve, duke u zhdukur herë pas here te kristalet e vitrinave?

“Çfarë janë ditët e mia! Përse gjithçka është ndërtuar aq keq, sa nganjëherë pallatet e lartë rrëzohen pa e marrë vesh arsyen? Unë kacavirrem te rrënojat dhe i pyes të gjithë: “Si mundi të ndodhë? Në një qytet si ynë rrëzohet një shtëpi e re! Mendoni, kjo është e pesta!” Askush nuk di të më përgjigjet.

“Rrugës ndodh shpesh që dikush plandoset përtokë dhe mbetet aty i ngrirë. Tregtarët hapin dyert plot me mallra, afrohen menjëherë, e çojnë të vdekurin në ndonjë cep, pastaj kthehen prapë jashtë dhe me gaz në buzë e në sy, thonë: “Mirëdita… Koha po prishet… Shes shamia koke… Epo, lufta!”

Unë duke kërcyer shkoj te shtëpia ku është strehuar i vdekuri dhe pasi e ngre dhe e ul disa herë dorën me gishtin e përkulur, vendos të trokas te dritarja e vogël e derëtarit. “Para pak kohe këtu sollën një të vdekur, – apo jo? pyes me njerëzi – “Ju lutem a mund të ma tregoni?”. Ai tund kokën i pavendosur, kurse unë them: “O njeri i mirë, unë jam agjent i fshehtë. Ma trego menjëherë të vdekurin”. “Të vdekurin?” pyet derëtari gati si i fyer. “Nuk kemi asnjë të vdekur këtu. Kjo është shtëpi për të qenë.” Unë përshëndes dhe largohem.

“Pastaj më mjafton të kaloj sheshin dhe harroj gjithçka. Vështirësia e asaj ndërmarrjeje më trondit dhe mendoj me vete: “Kur për hir të madhështisë ndërtojnë sheshe kaq të gjëra, përse nuk mendojnë edhe për një parmak guri që të lejojë për t’i përshkruar? Sot fryn era nga jug-lindja. Sheshi është plot rryma. Kreshta e kullës se komunës bën rrathë të vegjël. Përse nuk vihet pak rregull në këtë rrëmujë? Tingëllinë qelqet e dritareve, shtyllat e fenerëve luhaten si bambu.

Manteli i Virgjëreshës në majë të shtyllës përdridhet e duket sikur rryma do ta shqyej e ta flakë tej. Askush nuk sheh gjë? Burra e gra, në vend që të mbajnë këmbët mbi kalldrëm, lëvizin sikur po fluturojnë. Kur pushon era, ata qëndrojnë, shkëmbejnë ndonjë fjalë, përulen dhe përshëndeten, po sapo nis pranë era, nuk mund të qëndrojnë e këmbët e tyre ngrihen. Megjithëse janë të detyruar të mbajnë kapelat me dorë, kanë shikimin e shkujdesur sikur të ishte ndonjë ditë e vakët. Vetëm unë kam frikë”.

Ashtu në hall siç isha, thashë: “Historia që më rrëfehet pak përpara për nënën tuaj e zonjën në kopsht, nuk më duket e jashtëzakonshme. Jo vetëm kam dëgjuar plot histori të tilla, po edhe i kam jetuar. Nuk gjej asgjë të veçantë te historia juaj. Ju besoni se sikur të kisha qenë në ballkon nuk do të kisha ditur të thosha po ato fjalë dhe të përgjigjesha po në atë mënyrë nga kopshti? Është një fakt i rëndomtë!”

U duk sikur ishte i lumtur. Tha se isha veshur mirë dhe i pëlqente shumë kravata ime. Dhe sa të bukur e kisha lëkurën. Sipas tij, rrëfimet bëhen të qarta vetëm kur përsëriten.

Përktheu: Gjergj Vlashi

ObserverKult

Lexo edhe:

FRANZ KAFKA: KA NJË SASI TË PAFUND SHPRESE NË UNIVERS… POR JO PËR NE

FRANZ KAFKA: DHEMBJA E PARË…