Frederik Rreshpja: Unë vij tek ti të vdes, s’e ke kuptuar?

Lërmë të vij me ty!

Në fushë ecin ciganët dhe mbi supe
daullet u varen si kufoma,
ku shpirtrat e shkretëtirës
s’kanë për t’u zgjuar kurrë.

Nga çerdhja e shiut fluturoi
kënga e rëve tërë gjëmë.

Lërmë të vij me ty!
Ky është muzgu im i fundit.
Unë vij tek ti të vdes, s’e ke kuptuar?

Më duhet të vdes dhe më duhet pastaj
të shpërndaj gjakun tim mbi trëndafilat.