Gabriela Mistral: Ta shoh sërish atë

Dhe nuk do të rikthehet ai më kurrë në jetë? Nuk do rikthehet
Në netët e mbushura me yje drithërues, apo në dritën e dlirë
Të mëngjeseve virgjine, apo në pasditet e flijuara?

Kurrë nuk do rikthehet në skajin e ndonjë shtegu me gardh
Që rrethon fushën, apo pranë ndonjë
Shatërvani të bardhë fërgëllues nën hënë?

Kurrë nuk do rikthehet pranë kaçurelave të ngatërruara të pyllit
Ku, duke e thirrur atë, nata shpalohej mbi mua?
As në shpellat që ma përsëritnin jehonën e thirrjes sime?

Oh, jo! Për ta parë atë sërish, do rendja kudo që ai gjendet-
Në shtigjet e ngushta të qiellit apo në shtjellat marramendëse,
Pranë hënave të qeta apo në një tmerr të zi!

Dhe do të ishim bashkë çdo stinë pranverore
Dhe çdo dimër, e nyjëtuar në një nyjë të ankthshme
Rrotull qafës së tij të lënyrur në gjak!

Përktheu: Elida Buçpapaj