E dhimbshme: Ja çka ju bëri Enver Hoxha pronarëve të shtëpive ku u vendos

Sapo erdhi në pushtet, Enver Hoxha u vendos në hotel “Dajti” në Tiranë. Pak ditë më vonë i pëlqeu një shtëpi e ndërtuar në vitin 1942 nga një italiane, Velleda Lucia Costa. Në shtëpinë tjetër ngjitur me të (nga lindja) që i takonte pronarit Qemal Biçakçiu, u vendos Koçi Xoxe.

Shtëpia ku u vendos diktatori ishte në ish-truallin e ish-deputetit Hamit Myftiu nga Berati. Këtë truall, më 9.1.1940, Myftiu ia dha me qira për 99 vjet sipërmarrësit italian Vittorio Ercole Belloti.

Gjatë kohës së qirasë, për 2 vjet, zonja italiane ndërtoi shtëpinë. Nisur nga kjo, ajo kërkoi ta blejë gjithë truallin duke revokuar marrëveshjen e datës 9.1.1940.
Më 2.6.1942 u përpilua “akt revokimi kontrate qiradhënie, fshirje inskriptimi hipotekar, shitje-blerje trualli dhe deklarim zotërimi shtëpie”.

Zonja Velleda Lucia Costa nga Gjenova bleu gjithë truallin e shtëpisë dhe parcelës. Megjithatë në këtë shtëpi deri në vitin 1944 banuan Belloti dhe tregtari Petraq Katro nga Korça.

Qemal Biçakçiu (1921-1988) u dënua dhe vuajti burgimin në vitet 1946-1960. Pas daljes nga burgu bëri një jetë të vështirë e pa gëzime. Deri në vdekje ndiqej nga Sigurimi i Shtetit.

Hamit Myftiu u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 2.3.1948.
Pasi Koçi Xoxe u largua nga shtëpia e Qemal Biçakçiut, Enver Hoxha e mori edhe atë shtëpi. Të dyja i lidhi me një korridor të përbashkët. Në vitin 1973 ngjitur me këtë shtëpi ndërtoi shtesën e re që njihet sot si vila nr.31.

*Shkrimi i publikuar kohë më parë në “Facebook” nga historiani, Kastriot Dervishi

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga vdekja e tij, Enver Hoxha vazhdon të jetë një personazh enigmatik. Jeta e shqiptarit më të rëndësishëm të shekullit XX është e mbushur plot me mistere dhe kontradikta.

Në librin e rrallë për Enver Hoxhën nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber, ndër të tjera thuhet se, paralel punëve të tjera, diktatori që do të vinte në krye të shtetit shqiptar Enver Hoxha, punonte edhe si kamarier.

Pas dështimit të studimeve në Francë dhe Belgjikë dhe heqjes nga puna si kancelar në legatën shqiptare në Bruksel, i riu Enver Hoxha nis “karrierën” e re në vend: atë të oratorit nëpër varrime, kryesisht të patriotëve.

Por Hoxha ngelet ende një njeri në hije, ose më saktë ai nuk i deklaron hapur idetë e tija. Duke nisur nga ky moment, duhet thënë se ish-studenti bohem i Parisit, kancelari i Brukselit, bën zgjedhjen e tij. Të flasësh për lidhjen e tij me marksizmin është gabim. Pasi kishte dështuar me projektet e tij për shkollim, ai e përdori komunizmin për të ardhur në pushtet.

Miq të shumtë të fëmijërisë së tij, shumë prej tyre të pasur, nuk flasin përveçse për pasuri dhe për Mbretin që i nderon për këtë shkak. Më vonë, të gjithë këta sipas Hoxhës ishin bërë kolaboracionistë gjatë pushtimit.

“Në fakt, shoku Enver që nuk i kishte harruar kafenetë e Parisit dhe Brukselit bëhet pronari i kafene “Florës”, në qendër të Tiranës. E vetmja fotografi e marrë në këtë vend dhe që përdorej nga historianët është e retushuar. Aty është fshirë cigarja që Enveri mbante në buzë me një buzëqeshje narcistike”, shkruan Schreiber, duke vijuar më pas me infiltrimin e Hoxhës në grupet komuniste, ku edhe u dashurua me gruan që do të bëhej gruaja e tij e ardhshme, Nexhmije Xhuglini.

Enver Hoxha

Përgatiti: ObserverKult

====================

Lexo edhe:

ENVER HOXHA SHISTE MISH DERRI TË PRISHUR DHE DJATHË ME ERË TË KEQE, JA…