Igor Severjanin: Dua të jetoj siç e do jeta

Si gjithë njerëzit s’dua ta shkoj jetën,
Të ha ç’pështyj, ta kthej përditë fletën,
Të blegërij si delet tok në vathët,
T’ia marr në kor avazit tënd të ngathët.

Por dua të jetoj diku si zhgabë,
Të jem një mendjemadh e ters i prapë,
Të bredh, të shkas, të sillem tundur – shkundur
Përmes asaj që quhet “e pamundur”.

Të rroj me burra, mos vrapoj me lepuj,
Të jem përpara botës dy – tre shekuj,
Po ndofta dhe pak prapa nuk prish punë:
Nja gjysmëshekulli, të themi, jo më shumë.

Eh, dua të jetoj siç e do jeta,
Të zbres në fund, të ngjit dhe të përpjeta,
T’i thur të rejat me të vjetrat lehtë,
Se dua të jetoj si jeta vetë!…

Në shqip: Dritëro Agolli