In memoriam për Agim Mujon, padrejtësisht të panjohur

Nga Bujar Luca

 Agim Mujo është padrejtësisht një figurë e panjohur në kulturën shqiptare, kjo duhet të ndryshojë.
Krejtësisht i injoruar nga turma, por tejet i vlerësuar prej miqve të tij, Agimi preferonte qetësinë që i krijon artistit vetmia.
Njohës i muzikës klasike dhe kitarist i orëve të lira, skulptor dhe piktor, i dashuruar pas mendimeve filozofike, esoterismit, etimologjisë, astrologjisë, i penetruar nga besimi në fenë katolike, ai ishte i pashtershëm në diskutime, orator i shkëlqyer kur kishte pranë tij një bashkëbisedues, të cilin e vlerësonte.
Agimi e vuante tej mase mungesën e lirisë krijuese gjatë viteve të diktaturës dhe shpresonte me gjithë shpirt t’i shpëtonte një ditë. Ia arriti kur u hapën ambasadat, duke mos ngurruar një çast të linte pas vetes, çka e kish bërë të vuante.

Në fillim të viteve ‘80 Agimi i hyri pikturës. Idetë e tij mbi pikturën të reflektuara në tablotë që realizonte ishin në avangardë në raport me çfarë krijohej rreth e rrotull në Shqipëri. Ai renditej pranë një numri shumë të kufizuar artistësh, që guxonin të punonin vepra, të cilat e dinin që më parë që ishin të paekspozueshme. Më pas, gjatë gati 30 vjetëve që ai jetoi në Itali, piktura u bë për të dashuria më e madhe e jetës së tij. Ai arriti të bëjë një sintezë të thellë nëpërmjet kulturës së tij, që pasurohej çdo ditë në kryeqytetin e përjetshëm të Italisë. Arriti të krijojë një stil personal, ku vlerat artistike të një niveli të lartë janë të pamohueshme.
Akuarelet dhe pastelet, portretet janë të realizuara me një mjeshtëri dhe intensitet emocional, me një vizion që ruan një unitet që e dallon mes artistëve të tjerë. Piktura e tij e lehtë, e gëzuar, transparente, plot finesë, imateriale, na vendos përballë një bote të re, që na fton bujarisht.

Jam i bindur që kësaj kërkese që do bëj me këtë letër do t’i bashkohen shumë artdashës, gazetarë të kulturës, që kërkojnë më thellë se sipërfaqja, si ata që e njohin Agimin, veprën e tij, ashtu edhe ata që do ta zbulojnë e pa dyshim do t’u pëlqejë, për të kërkuar të gjithë njëzëri pranë institucioneve përkatëse atë që Agim Mujo meriton:
– Të zgjidhen disa vepra të Agim Mujos dhe të organizohet në Tiranë një ekspozite e denjë mbi veprën e tij, kjo gjë do të bëjë të mundur po ashtu që disa vepra të Agimit të hyjnë në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve (e cila nuk ka asnjë vepër të Agim Mujos në fondin e saj), ku të dëshmohen vlerat e këtij artisti pa bujë, që diti të vetëndërtohet.
Vepra e tij do të jetë në këtë mënyrë një dëshmi e rëndësishme ndaj ndalesave absurde të regjimit diktatorial.