I shkruajti letër anonime Enverit, si u zbulua gjenerali dhe u arrestua teksa tentonte të arratisej

Enver dhe Nexhmije Hoxha

Publikohet historia e panjohur e gjeneralmajor Halim Xhelos, ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili në vitin 1966 i shkroi një letër anonime Enver Hoxhës, lidhur me gjendjen katastrofike ku po e çonte popullin shqiptar Enveri dhe udhëhehqja e lartë e PPSH-së, si dhe çështjen e heqjes së gradave në Ushtri, sipas modelit kinez.

Letra e plotë e gjeneralit rebel nga Vlora dhe dëshmia e kolonelit Ahmet Mehmeti se si u bë e mundur gjetja e autorisë së asaj letre dhe si u arrestua ai në Hotel “Sazani” në Vlorë ku kishte shkuar së bashku me djalin në tentativë për t’u arratisur?!

“Ndërkohë që gjeneral-major Halim Xhelo u nis për në Vlorë, pak orë më vonë, në zyrën e ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut u thirrën tre ushtarakë të lartë (një i Ushtrisë dhe dy të Ministrisë së Brendshme) dhe me porosi nga lart, atyre iu komunikua urdhri për t’u nisur menjëherë për në Vlorë, duke udhëtuar me një mjet fluturues. Sapo mbërritën në Vlorë, ata zbuluan se Halimi bashkë me djalin e tij ndodhej në hotel “Sazani (ish Hotel “Moska”), dhe me të marrë atë sinjalizim, ata shkuan menjëherë aty duke bërë arrestimin e tij. Pasi e arrestuan, nën masa të forta sigurie ata e sollën menjëherë në burgun e Tiranës, ku pasi iu komunikua akuza si shkruesi i letrës anonime, i filloi menjëherë hetuesia”. Kështu e kujton koloneli Ahmet Mehmeti arrestimin e ish-Drejtorit të Sigurimit të Shtetit për Ushtrinë, gjeneral-major Halim Xhelos, në vitin 1966, pas letrës anonime që ai i kishte bërë Enver Hoxhës. Po çfarë shkruante gjenerali i famshëm vlonjat në atë letër, si u zbulua se ai ishte autor i saj dhe si u bë i mundur arrestimi i tij në një hotel të Vlorës, ku ai kishte shkuar me mendimin për t’u arratisur? Për të gjitha këto e të tjera fakte të panjohura nga ajo ngjarje e largët, na njeh intervista ekskluzive për Memorie.al e Ahmet Mehmetit, ish-ushtarak i lartë në Drejtorinë e Planifikimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes në vitet ’60-të, i cili e ka njohur nga afër gjeneralin rebel që nuk u pajtua me vendimin e Byrosë Politike për heqjen e gradave.

Zoti Mehmeti, si u prit në atë kohë nga masa e gjerë e ushtarakëve vendimi i Byrosë Politike për heqjen e gradave?

Para se t’i përgjigjem direkt pyetjes suaj, në parantezë desha të shtoj se me njoftimin që bëri udhëheqja e lartë e PPSH-së në atë kohë mbi vendimin që kishte marrë Byroja Politike për revolucionarizimin e mëtejshëm të Partisë, Pushtetit e Ushtrisë, në të gjitha organizatat-bazë të Partisë, duke filluar që nga Ministria e Mbrojtjes e deri poshtë në njësi, u diskutua gjerësisht se ç’duhej bërë me Ushtrinë në lidhje me atë orientim që vinte nga lart. Në këtë kuadër, u diskutua dhe u tërhoq mendimi i bazës në lidhje me heqjen e gradave. Për këtë problem pati shumë reagime, pro dhe kundër, por të gjitha reagimet që ishin kundër, argumentoheshin me atë që heqja e gradave do të dobësonte disiplinën në ushtri. Një nga ushtarakët e lartë që e kundërshtoi më shumë heqjen e gradave, ishte kolonel Dilaver Radëshi, i cili i bëri një letër udhëheqjes së lartë të PPSH-së, dhe njëkohësisht me atë letër u bë dhe një letër tjetër anonime, ku kundërshtohej në mënyrë kategorike heqja e gradave në ushtri. Ajo letër, që iu adresua personalisht Enver Hoxhës, siç u mor vesh më vonë, ishte bërë nga Shefi i Sigurimit të Ushtrisë, gjeneral-major Halim Xhelo. Ndërsa letra e Dilaverit ishte me emër dhe nuk përbënte ndonjë hata të madhe (ndonëse dhe Dilaveri përfundoi në burg), ajo që u dërgua anonime vuri në lëvizje të gjitha hallkat e shtetit dhe organet përkatëse të Sigurimit e Zbulimit e morën shumë seriozisht punën për të bërë të mundur zbulimin e autorit të saj.

Mbi cilin ranë dyshimet e para si autor i asaj letre dhe a dyshohej për Halim Xhelon?

Nuk po ju përmend emra konkretë, por dyshime në atë kohë pati shumë. Por, derisa u zbulua e vërteta, për Halim Xhelon as që nuk mendohej.

Ju personalisht, a u takuat ndonjëherë me Halimin në atë kohë që ai e kishte bërë letrën dhe a e keni diskutuar këtë problem?

Gjatë kohës që në të gjithë ushtrinë diskutohej problemi i heqjes së gradave dhe ai i letrës anonime, unë jam takuar dy a tre herë me Halimin. Ashtu si gjithë ushtarakët e tjerë, dhe ne normalisht diskutuam për problemin e letrës, por pa e ditur se Halimi ishte autori i saj.

Çfarë thoshte Halimi për letrën?

Më kujtohen si tani fjalët e Halimit kur më thoshte: “Dilaveri u tregua burrë të paktën dhe e bëri të hapur letrën, por ç’është ky që e ka bërë anonime dhe po na sjell vërdallë e s’e gjejmë dot. Ka shumë Dilaverë që nuk dalin në skenë”, dhe shante pastaj mbarë e prapë atë që e kishte shkruar. Pas këtij takimi, unë e kam takuar Halimin edhe një ditë para se ai të arrestohej, pasi ai erdhi aty në ministri për të marrë një autorizim për të shkuar në ishullin e Sazanit. Meqenëse nuk e gjeti në zyrë shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Petrit Dumen (i cili kishte të drejtën e lëshimit të autorizimit për të shkuar në Sazan), kur po dilte nga ministria, Halimi u kthye në zyrën ku punoja unë dhe më pyeti nëse ishte përgatitur një hartë që kishte kërkuar ai për territorin e Shqipërisë ku shtriheshin zonat kufitare. Po kështu, ai më porositi që kur të vinte gjeneral Petriti, unë t’i merrja autorizimin për në Sazan, duke më thënë se kishte biseduar vetë me të. Teksa po largohej, ai më tha: “Hajde dhe ti me mua në Vlorë e Sazan”.

Ia morët ju autorizimin sipas porosisë që ju la?

Kur erdhi gjeneral Petriti, una ia bëra prezent porosinë që më la Halimi, duke i thënë se më kishte kërkuar edhe mua për të shkuar në Vlorë. Petriti urdhëroi menjëherë formulimin e autorizimit, të cilin e firmosi dhe e vulosi menjëherë, por mua më tha: “Nuk do të shkosh në Vlorë, pasi do ikim bashkë në Burrel, se na ka dalë një problem”. Atë pasdite Halimi erdhi në ministri me makinën e tij “Popjeda” dhe pasi mori autorizimin, u nis menjëherë për në Vlorë, bashkë me djalin e tij që e kishte me vete në makinë.

Si rodhën ngjarjet pas largimit të Halimit për në Vlorë?

Ndërkohë që Halimi u nis për në Vlorë, pak orë më vonë në zyrën e ministrit të Mbrojtjes u thirrën tre ushtarakë të lartë, një i ushtrisë dhe dy të Ministrisë së Brendshme. Me porosi nga lart, atyre iu komunikua urdhri për t’u nisur menjëherë për në Vlorë, duke udhëtuar me një mjet fluturues. Sapo mbërritën në Vlorë, ata zbuluan se Halimi bashkë me djalin e tij ndodhej në ish-hotel “Moska”, dhe me të marrë atë sinjalizim, ata shkuan menjëherë aty duke bërë arrestimin e tij. Pasi e arrestuan, nën masa të forta sigurie ata e sollën menjëherë në burgun e Tiranës, ku iu komunikua akuza si shkruesi i letrës anonime, dhe i filloi hetuesia.

Si u bë i mundur zbulimi i letrës, pra që ajo ishte shkruar nga Halim Xhelo?

Siç thashë dhe më lart, organet kompetente të Sigurimit e Zbulimit nisën menjëherë punën për të gjetur autorin e asaj letre që kishte shqetësuar udhëheqjen e lartë dhe personalisht Enver Hoxhën. Fillimisht u bënë ekspertizat përkatëse për të gjetur makinën e shkrimit me të cilën ishte shkruar ajo letër. Pas krahasimeve të shkresave, u konkludua se ajo letër nuk ishte shkruar me makinat e shkrimit që dispononte dega e Sigurimit të Ushtrisë, por ajo ishte e një makine shkrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ishte dërguar për riparim në Degën e Kazermimit të Ushtrisë. Pas gjetjes së makinës së shkrimit, u hodhën dyshimet e para se mos ajo letër ishte shkruar nga ajo ministri dhe u vunë disa persona nën vëzhgim. Njëkohësisht me këtë gjë, u verifikuan në Degën e Kazermimit të gjithë regjistrat e hyrje-daljeve dhe rezultoi se ajo makinë, që i përkiste një zyre në Ministrinë e Mbrojtjes, ishte marrë për një ditë nga sekretarja e Drejtorisë së Sigurimit të Ushtrisë, ku drejtonte Halim Xhelo. Ajo e kishte kërkuar atë makinë për një ditë, duke u thënë se të sajën e kishte të prishur. Pasi u gjetën firmat e saj për marrjen e dorëzimin e makinës së shkrimit, ajo u thërrit dhe u mor në pyetje, ku pranoi gjithçka. Sekretarja pohoi se, me porosinë e Halimit, letrën e kishte shkruar me një makinë tjetër, me qëllim që të mos zbuloheshin. Ky pohim i saj koincidoi në një ditë dhe në një kohë kur Halim Xhelo ishte duke udhëtuar për në Vlorë. Pra, kjo ishte dhe arsyeja që tre ushtarakët e lartë që ishin thirrur në zyrën e ministrit të Mbrojtjes, morën urdhër për të udhëtuar me një mjet fluturues për në drejtim të Vlorës, pasi ata dyshonin se Halimi kishte tendenca që të arratisej nëpërmjet Sazanit. Kështu u tha në atë kohë, se Halimi e mori vesh për arrestimin e sekretares së tij dhe prandaj u nis për në Vlorë, që të arratisej.

Është thënë se Halim Xhelon e helmuan në burgun e Burrelit, pasi ai filloi të tregonte krimet e Sigurimit të Shtetit?

Jo, Halim Xhelo mbyti veten në qeli, tamam atë ditë që u arrestua Beqir Balluku në aktivin e Durrësit. Kjo gjë ndodhi pasi ai mbante shpresa se do lirohej një ditë me ndërhyrjen e Beqirit. Në vitin 1966, edhe Beqiri me Petritin ishin kundër heqjes së gradave, madje Petritin e detyruan të bënte autokritikë në organizatën e Partisë. Dhe shumë vite më vonë u fol nën zë se gjeneral-Halim Xhelon e kishte shtyrë Beqir Balluku ta bënte atë letër. Nuk e di sa e vërtetë është kjo, por është përfolur edhe paara arrestimit të Beqirit dhe kjo gjë dihej nga shumë oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Letra e gjeneralit që vdiq në burgun e Burrelit në ’75-ën: “Enver, ja si po e masakroni këtë popull”

I dashur shoku Enver

Jemi një grup komunista ushtarakë e civila që kemi luftuar, që e duam partinë, pushtetin e popullin tonë, por duke parë se këto po rrezikohen vendosëm t’ju shkruajmë juve që të vini dorë para se të jetë bërë vonë. Ju keni vendosur që të bëni një mori reformash: si uljen e rrogave, dërgimin e kuadrove në kazmë, heqjen e gradave, veshjen me uniformë kineze etj., etj. Fshatarësisë po i rrëmbehet gjithshka dhe janë katandisur në pikë të hallit për bukën e gojës. Punëtorët duhet të punojnë prej mëngjesit deri në mbrëmje për të realizuar normat e larta. Shkurt, të gjitha shtresat e popullsisë po u shtrëngohet litari për fyti. Përse të gjitha këto mbas 22 vjetësh çlirim?Tani të gjithë mendojnë për të ardhmen ç’do të bëhet. Asnjeri nuk e ka të nesërmen të sigurtë. Armiqtë na rrethojnë por me këtë valë pakënaqësie që ka përfshirë të gjithë popullsinë, vështirë të mbrohet pushteti. Përse të rrezikojmë për një pushtet e parti që nuk mendojnë fare për ne. Juve keni vënë triskëtimin e heshtur. Buka, vaji, makaronat, djathi etj. jepen vetëm në bazë të regjistrit. Por mos harroni se të pakënaqurit nuk janë më armiqtë e klasave por neve njerëzit e pushtetit, ne që deri dje luftuam e sakrifikuam dhe që mendonim se të tillë do të ishim deri në fund. Po jini kaq të ndërgjegjshëm për kursimet në interes të popullit, jepni ju të parët shembullin tuaj personal në çdo gjë duke filluar nga vetja juaj. Lini makinat e shumta luksoze, vilat e rehatshme të ngritura në çdo qytet për ju, paguani vetë qiratë, ngrohjen, ushqimet, ujin, dritën, hiqni rojet e shumta në Tiranën e Re dhe do të shihni vështirësitë e mëdha të jetës. Hiqni më parë gratë dhe të afërmit tuaj nga përgjegjësitë e mëdha, të venë të parët në prodhim dhe aty do të shihni valën e pakënaqësisë që ekziston. Dilni ju, gratë tuaja dhe fëmijët tuaj në gjimnastikën e mëngjesit, vraponi rrugëve të Tiranës dhe pastaj pas jush do vrapojmë edhe ne.

Kështu jepet shembulli i mirë personal. Mandej shkoni në fshatra pa i lajmëruar që t’u presin, dhe do të shihni ku është katandisur fshatari jonë, sa keq jeton populli dhe oficeri që do të mbrojë Republikën. Jo me konferenca por në doni opinionin e vërtetë të masës, i vini në votim të fshehtë këto reforma në ushtri e në popull dhe pikërisht këtu do të merrni atë që mendojnë njerëzit, mbështetjen që trumpetoni ju. Në konferenca të hapta, njerëzit nuk mund të thonë lirisht ato që mendojnë, sepse s’duan të venë në burg apo në kampet e internimit. Rëndësi ka ajo që njerëzit gjithandej flasin dhe preokupohen se ç’do të ndodhë nesër me neve. Njerëzit po mbushen me urrejtje dhe çdo durim ka një kufi. Fëmijët tanë s’duan të jetojnë e të rriten me komoditetet e fëmijëve tuaj, por me ato të një kërkese të domosdoshme.

Ushtarakët mendojnë: Pse nesër të rijnë ushtarakë? Apo për një trajtim si të qenit. Dhe nesër të japin kokën të parët. Pse kjo? Paskan të drejtë të gjithë ata që na akuzojnë për dogmatizëm. Ishin jugosllavët e ne bënim si donin ata, erdhën sovjetikët e ne bënim si urdhëronin ata, erdhën kinezët dhe ne o burra të bëhemi aziatikë. Kinezët vunë punën fizike dhe neve menjëherë, kinezët bëjnë gjimnastikë rrugëve, të bëjmë edhe neve?! Kinezët heqin gradat, o burra t’i heqim edhe neve. Po të hanë kinezët … pa tjetër do hamë edhe neve. Këto janë kulmi i servilizmit, kopjimeve dhe varrim i çdo gjëje nacionale, i çdo gjëje kombëtare. Ne po humbasim çdo gjë, çdo krenari si popull e si komb. Këto nuk ju thuhen juve haptas por të gjithë i bisedojnë midis shokësh të vërtetë ku kanë besim.

Vetëm ju shokët e udhëheqjes duhet t’i mendoni thellë këto çështje dhe mos lejoni që të rrezikohen fitoret tona. Këto hapa të pamatura sot, ndoshta nesër do të jenë të pandreqshme. Vini dorë sa nuk është vonë. Mos i nënvleftësoni këto mendime që jua thonë shokët tuaj. Këto qarkullojnë në masën më të madhe të komunistëve dhe veçanërisht të kuadrove. Po të reagoni drejt, ne kurrë nuk do të mendojmë se “ja u tërhoqën nga presioni”, por do themi udhëheqja dëgjoi zërin e masës. S’ka çudi të qeshni me këto mendime. Një ditë do na jepni të drejtë! Me nderime dhe respekt

Një grup kuadrosh ushtarakë e civilë./Memorie.al

——————–

Lexo edhe:

Çka bëri Enver Hoxha kur mësoi lajmin që ndërroi jetë Mehmet Shehu, pse nuk e pranoi në makinën e tij Kadri Hazbiun

ObserverKult