Janis Ricos: Do të vijmë prapë… por me flokë të thinjur

janis ricos

Do të vijmë prapë me tesha të tjera, me të tjerë sy,
me flokë të thinjur. Do të vështrojmë portin e qetë,
litarët, direkët, yllin e barinjve. Do të flasim,
duke u përpjekur të ngushëllojmë dikë që mungon,
dikë krejt të panjohur për ne dhe do të vështrojmë peshkun
tek përpëlitet në rrjetë. Do të kuvendojmë
për vezullitjet e trëndafilta të peshkut. Do të imitojmë
me të dyja duart lëvizjet e tij- lëvizje të bukura-
duke folur me ngut, duke heshtur, pa ia hedhur fare sytë
rremës së thyer, ngulur në breg, midis eshtrave
të kuajve homerikë dhe këpucëve të shtrembëruara të grave.

Zgjodhi e përktheu nga greqishtja: Romeo Çollaku

——————————————————————

Lexo edhe:

NAIM FRASHËRI: MIQËSIA DHE SHPIRTMADHËSIA E SKËNDER-BEGUT