Janis Ricos: Je kaq e bukur sa më tremb…

Je kaq e bukur…
Sa bukuria jote më tremb.
Uritur për ty.
Etur për ty.
Të përgjërohem: Fshihu!
Bëhu e padukshme
për çdokënd,
e dukshme vetëm për mua.

Mbulohu
nga majat e gishtave
deri te flokët
me një vel të zi,
të tejdukshëm,
larushe
nga psherëtimat argjend
të hënës pranverore.

Poret e tua,
shpërhapin tinguj,
bashkëtingëllore joshëse,
fjalë mistike shqiptojnë,
shpërthime të trëndafilta
nga akti dashuror.

Veli yt fryhet,
vezullon ndajnatës
mbi qytetin me bare
të ndriçuar
e taverna buzë detit.

Dritëhedhësi i gjelbër
ndriçon barnatoren e natës.
Një rruzull i qelqtë
në rrotullim të shpejtë
shpalos peizazhet e tokës.

I dehuri valavitet
prej një suferine
sjellë nga frymëmarrja
e shtatit tënd.

Mos ik!
Mos shko!
Je kaq lëndore,
e pakapshme.

Një dem i gurtë,
kërceu në barin e thatë
prej ballinës.
Një grua e lakuriqtë,
ngjit shkallët e drunjta
me një legen ujëngrohtë.

Avulli ia fsheh fytyrën.
Lart, ajrit,
një helikopter patrullues,
gumëzhin nga një pikë
e vagullt.

Shpëto!
Ty të kërkojnë.
Fshihu sa më thelle
përqafimit tim.

Gëzofi i batanijes së kuqe
që na mbulon,
rritet pandalshëm.
Bëhet arushë shtatzënë
batanija.

E nën arushën e kuqe
duhemi pafundësisht,
tej kohës,
tej vdekjes,
në të vetmin bashkim
të përbotshëm.

Je kaq e bukur…
Sa bukuria jote më tremb.
Uritur për ty.
Etur për ty.
Të përgjërohem: Fshihu!

(Shqipërimi nga: Rielna Paja)

ObserverKult

Lexo edhe:

XHEVAHIR SPAHIU: VAJZË E BUKUR, VAJZË E DASHURUAR…