Jorgo Bllaci: Brengën e mbyta në nji gotë!

trishtim respekt Jorgo...
Foto ilustrim

Brengën e madhe mbyta në nji gotë;
Si qenkam dehur sonte se kuptoj!
Për gjërat më të bukura në botë
sa më pëlqen të rri e t’ëndërroj.

Sa më pëlqen gazmor t’i bie lirës ,
po ku të lë mendimi të dëfresh ?
Demon, demon i madh i hapsirës,
akoma ti kërkon të më gënjesh ?

Ti po ma nxin me brenga djalërinë,
ti po m’i shqyen brinjët, po më çmend,
ose më kthe sërishmi qetësinë,
ose me sill këtu tërbimin tënd!

Se do t’i qepem qiellit kësaj nate,
për flokësh ta kap hënën e me të
të sillem hapsirës së pamatë
e të mos zbres mbi tokë kurrë më!

————————————————————————

LEXO EDHE: JORGO BLLACI: PSE QAJ, NUK E KUPTOJ AS VETË…

Unë e di që ti tani, për mua,
Pranë stufës rri edhe mendon:
“Jorgo, Jorgo!-ti me vehte thua,-
Këtë natë ku po e kalon?

Vallë mos ndonjë vejushë e mbetur
Të ka marrë sonte në shtëpi
Dhe të puth e të pushton e etur,
Gjithë epsh e gjithë egërsi?…”

S’ke se ç’bën, e dashur, rrugë e shkretë
Në të huaj shtretër të përplas.
S’kanë faj vejushat mendjelehta,
Që në brengën time gjejnë gaz.

Ti sërishmi mendjen vret për mua,
Pranë stufës, brengën duke fshehur:
“Jorgo, Jorgo!-ti me vehte thua,-
Mos po endesh rrugëve i dehur?…”

Jo, e dashur, sonte flij e qetë:
Në një park të heshtur, fill i vetëm,
Po qëndroj, porsi një zog pa fletë.
Përmbi stol i krrusur, qaj e mekem,-
Dhe pse qaj, nuk e kuptoj as vetë!


LEXO EDHE: JORGO BLLACI: PO NE KU U FSHEHËM, KU HUMBËM…

Oh, ç’natë! Prej tokës së thelli,
Një hymn i mahnitshëm ushton
E çan madhështor nëpër qiellin,
Ku hëna me retë vallzon.

Dhe pishat me mall përqafojnë
Fenerët e rrugës kudo;
Të dehura hijet lodrojnë
E dridhen e puthen nën to…

POEZINË E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU