Jorgo Bllaci: Sa herë merr kitarën Lena…

Sa herë merr kitarën Lena
Dhe nis këndon me ëmbëlsi,
I tëri dridhem e ndër vena
S’më rrjedh më gjak, po dhëmbshuri.

Rënkimn’ e fushës së pamatë
Papritur ndjej në shpirtin tim
Dhe klithma krillash nëpër natë,
Përpara nisjes në shtegtim.

Oh, krillat, sado larg të venë,
Do kthehen përsëri në maj,
Po unë këto vise e Lenën
A do t’i shoh më paskëtaj?

Apo, me sytë larg nga qielli,
Shtegtimn’ e krillave do pres,
Ndonjë të falë mos më sjellin
Prej tyre, para se të vdes?

O zot, ç’magji buron nga Lena,
Nga zëri i saj plot ëmbëlsi!
I tëri dridhem e ndër vena
S’më rrjedh më gjak, po dashuri!

ObserverKult

Lexo edhe:

JORGO BLLACI: LAMTUMIRË, O MËMË E MJERË

jorgo bllaci lena

Dëgjo ç’thonë gjethet më të rënë,
Këtë natë vjeshte me stuhi:
“Lamtumirë, e shtrenjta degë mëmë, –
Tokë e ftohtë po na merr në gji!

Ah, moj tokë, tokë! Kur bleronim
E të bënim fllade plot hare,
Ti na deshe, se të hijeshonim...
Po tani? Medet, të ngratat ne!

Na këput nga dega erë e fortë.
Ah, moj erë, pse kështu po fryn?
Mirë toka, që na pret e ftohtë,
Po ti pse me kaq rrëmbim na shtyn?

Si të deshte qejfi ty, moj erë,
Ne dikur u drodhëm pa pushim…
Lamtumirë, o degë, o mëmë e mjerë!
Ti na ndje për këngën plot ankim!

ObserverKult

————

Lexo edhe:

JORGO BLLACI: EJA KËNGA IME, S’KEMI Ç’RRIMË…

Lexo edhe:

DËSHMIA E SHKRIMTARIT: ENVERI E SULMONTE KADARENË, SEPSE E KISHTE ZILI, PASI VEPRAT E TIJ I PËRKTHENIN “SHTËPI BOTUESE BORGJEZE” DHE…