Jung: Shkenca na ka bindur shumë për kotësinë e jetës njerëzore

Psikiatri dhe filozofi i shquar, në intervistën e fundit jep disa nga zgjidhjet e qasjes së tij.

Me intervistën e fundit, Karl Gustav Jungu (Carl Gustav Jung) ndihmon në kuptimin e thellësisë së analizës, bazën e besimeve, por edhe hollësitë e teorive të tij. Jungu, psikiatri dhe psikologu zvicerian, lindi më 1875. Shqetësimet dhe mosmarrëveshjet që pati me psikanalizën e epokës së tij, e shtynë të themelonte shkollën analitike.

Fillimisht, qe studenti dhe bashkëpunëtori i Sigmund Frojdit, me të cilin, pati mosmarrëveshje për themelimin e rrymës së vet, rrymë që u ndikua fuqimisht nga degë të tjera të dijes, siç është antropologjia.

Intervista është zhvilluar më 7 qershor 1960, nga Georg Gerster, me rastin e 85-vjetorit dhe merr një rëndësi të veçantë, kur dihet se Jung vdiq një vit më vonë, më 6 qershor 1961. Asokohe, autori pohon, se dukuritë fetare, për këdo janë për absolutisht të padukshme. Si rrjedhojë, shprehjet më të thjeshta që sjellin fjalën Zot, kanë kuptim psikologjik për ata që i shqiptojnë. E panjohura, e pashpjegueshmja ose çfarë na tejkalon, ka një rëndësi të veçantë antropologjike dhe psikologjike. “Ne i vëzhgojmë manifestime të tilla fetare, kryesisht në raste emergjente ose në rrethana shumë emocionale”. Koncepti i arketipit lidhet ngushtë me konceptin e Zotit. Për ta kuptuar më mirë, së pari duhet të shkëputemi nga kuptimi kishtar që mund të ketë për gjithsecilin, nisur nga kultura ose besimi i tyre. Jung shkon më tej, duke folur për një kuptim emocional shumë më të vjetër sesa mund të imagjinohet. Arketipet janë modelet e sjelljes, që përsëriten përgjatë historisë. Bëhet fjalë për nevojën që ka njeriu, të gjejë përgjigje për të pashpjegueshmen te besimi. Gjithçka, buron nga një nevojë themelore, e pavetëdijshme, psikologjike. “Një arketip i tillë, si për shembull nocioni i Zotit ose fuqia e mbinatyrshme, shfaqet në situata të forta emocionale”. Në këto manifestime, frika dhe pasiguria janë më të zakonshmet dhe pikërisht në ato çaste, kur spontanisht dhe pa vetëdije, qenia njerëzore bën “lutje” që i shpëtojnë arsyes dhe e çojnë atë tek e panjohura.

Po ashtu, intervista e Karl Jungut përmban reflektime të rëndësishme mbi shpirtin, pasi autori flet për fenomene “fetare”, si dhe për fenomene shpirtërore. Këto fenomene, larg të qenit tabu, janë një pjesë e pashmangshme e natyrës njerëzore. Kur njeriu gjendet në nevojë të ngutshme, i vjen në ndihmë instinkti. Këtu u referohet formave të veprimit, mendimit dhe ndjenjës që ne adoptojmë në këto situata. Për Jungun, këto modele janë gjithmonë të pranishme dhe evokohen automatikisht, siç do të bënte çdo kafshë. Jung, zbulon gjithashtu, se fenomenet e shpirtit formojnë psikikën, të tilla, si: pasiguria, rreziku dhe vendimmarrjet. “Në njëfarë mënyre, fuqitë e pavetëdijshme na vijnë në ndihmë kur vetëdija jonë mbingarkohet, nënshtrohet”.

Për Jungun, ëndrrat përmbushin një funksion më kompleks, sesa thjesht kënaqësia e nënvetëdijes.

Përkundrazi, ato mund të kenë një qëllim shoqëror ose një qëllim orientimi, porse një gjë e tillë, kërkon njohurio të gjera kulturore. Larg të qenit i ngopur me kënaqësinë e dëshirave të paplotësuara, ëndrrat mund të drejtojnë terapinë. Çdo psikolog, has probleme të vështira për t’u zgjidhur. Pikërisht atje, subkoshienca e pacientit mund të shfaqet në formë ëndrre dhe të orientojë terapinë. Jung thotë, se njerëzit vuajnë rëndom nga pikëpamje shumë të njëanshme, shumë të deformuara. Madje, ai pretendon se të kesh një pikëpamje jashtëzakonisht skeptike, mund të çojë në përbuzjen e fushës sentimentale të një personi.

Jung është një referencë në psikologji, që dallohet për faktin e të mos qenit determinues.

Ndryshe nga paraardhësit dhe pasardhësit e tij, ai nuk e kufizon studimin e fenomeneve njerëzore në një vizion të vetëm ose një metodë të vetme. Përveç kësaj, autori ka një qasje kritike, kur bëhet fjalë për të analizuar kulturën tonë. “Shkenca na ka bindur shumë, për kotësinë e jetës njerëzore”. Së fundmi, intervista e fundit e Karl Gustav Jungut, mbyllet me një reflektim mbi zgjidhjet e problemeve të paraqitura. Për autorin, është e pamundur të ndryshohet rrjedha e gjërave, por ka shpresë kur ai thotë, se njeriu modern mund të ketë përvoja soditëse, duke pyetur veten se deri ku shtrihen siguritë e tij./Konica.al