Kadri Roshi interpreton poezinë “Kroi i fshatit tonë” të Lasgush Poradecit (Video)

DHURATË NË KOHË TË LIGA
Nga Petrit Ruka

Në kohë të vështira të gjithë duhet t’i japim diçka njeri – tjetrit. Po ju dhuroj sot një minutë e pesë sekonda art nga ai që është më i çmuar se floriri (po që vlen sa një orë a një jetë) nga thesari im i vogël arkivor që e ka emrin “Kadri Roshi”.
Një interpretim të tij me një poezi të famshme të Lasgush Poradecit, xhiruar në Butrint, më 1997, gjatë xhirimit të dokumentarit tim “Butrinti i gjallë” kushtuar kësaj legjende të aktrimit shqiptar. Më lart se sa kaq, ka vetëm qiell, thotë një miku im poet për artistë të tillë.
Shikim të mbarë!

Teksti:

Lasgush Poradeci: Kroi i fshatit tonë

I

Kroi i fshatit tone, ujë i kulluar,
ç’na buron nga mali, duke mërmëruar

Venë e mbushin ujë vashat anembanë
cipëzën me hoja lidhur mënjanë;

Cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,
gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.

E si mbushin ujë, bubu ç’m’u ka hije,
ndaj kthehen prap me hap nusërije
ndezur yll i ballit si yll shenjtërie.

II

Kroi i fshatit tonë, ngjyr’ ergjënd i lyer
që nga rrëz’ e malit ç’na buron rrëmbyer.

Venë e pinë ujë trimat anembanë
takijen me lule, përmbi sy mënjanë.

Takijen e dlirë, takijen e nxirrë
Buzën në të qeshur… më të psherëtirë…

Mbrëmave kur uji mërmëron nga-dalë,
vjen t’i thotë trimi vashës nj’a dy fjalë:

Vashëzën bujare që po vin në krua
Siç’e përshëndeta, siç’m’u turpërua
Papu ula kryet e shikova si grua

III

Kroi i fìshatit t’onë, tetë sylynjarë
nër tetë krahina qënke kroj i parë
qënke një në botë, s’paskërke të dytë
ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.

Kroi i fshatit tonë, n’atë mal me fletë,
derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë
posi malli i zemrës mu në gji të shkretë

Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë,
posi malli i vashës, që djeg në të fshehtë,
posi malli i trimit, që buçet përjetë,
obobo, si malli, që nuk vdes përjetë.

ObserverKult

———————————

Lexo edhe:

A DO TË KEMI MË AKTORË SI KADRI ROSHI, MARGARITA XHEPA APO TINKA KURTI?