Khalil Gibran: Gruaja që zemra ime ka dashur…

Gruaja që zemra ime ka dashur, dje rrinte në këtë dhomë të vetme dhe shtriqte trupin e saj elegant mbi këtë divan kadifeje, rrufiste një verë të çmuar nga këto servise kristali.
Po kjo tashmë është një ëndërr e së djeshmes sepse gruaja që zemra ime ka dashuruar ia ka mbathur në një vend të largët, në Tokën e Harresës dhe të Zbrazësisë.
Prekja e gishtave të sajë shtë akoma mbi pasqyrë, aroma e frymëmarrjes së saj është ende midis palëve të teshave të mia. Dhe jehona e zërit të saj të ëmbël akoma dëgjohet në këtë dhomë.
Por gruaja që zemra ime ka dashur ka ikur në një vend të largët të quajtur Lugina e Mërgimit dhe e Harrimit.
Pranë shtratit tim, në mur varet portreti i asaj gruaje të mrekullueshme. Letrat e dashurisë që ajo më kish dërguar i ruaj në një kuti argjenti të zbukuruar me korale smeraldi. Dhe të gjitha këto gjëra do të qëndrojnë me mua gjer të nesërmen, kur era do t’i hallakatë drejt harrimit, ku nuk mbretëron veç heshtja e vuvër.
Gruaja që unë kam dashur është e ngjashme me të gjitha gratë që ju u keni falur zemrat tuaja. Ajo ka një bukuri të çuditshme, sikur të ishte modeluar nga Perëndia, është e urtë si një pëllumbeshë, dinake si një nepërkë, krenare si palloi, e dhëmbshur si një lejlek i bardhë, e tmerrshme si një natë sterrë. Ajo duket se është bërë nga një shuk dheu dhe një sprucë shkume deti.
E kam njohur këtë grua qysh nga fëminia ime e largët. E kam ndjekur nëpër fusha dhe i kam drejtuar jakat e kostumeve të saj ndërsa ecte nëpër rrugët e qytetit. E kam njohur që në ditët e para të rinisë time dhe e kam parë hijen e fytyrës së saj mbi faqet e librave që lexoja. Kam dëgjuar zërin e saj qiellor në mërmërimën e përroit.
Asaj i kam shprehur ngërçet e zemrës sime dhe sekretet e shpirtit.
Gruaja që zemra ime ka dashur ka ikur që këndej drejt një vendi të ftohtë, të shkretë e të largët, në Tokën e Zbrazësirës dhe të Harrimit.
Gruaja që zemra ime ka dashur quhej JETA.
Ajo ka një bukuri magjepse dhe i bën për vete të gjitha zemrat. I merr peng zemrat tona dhe i varros dëshirat tona të zjarrta nën petkun e premtimeve te saj.
JETA është një qenie që lahet në lotët e dashnorëve të saj dhe lyhet me gjakun e viktimave.
Veshja e saj përbëhet nga shkëlqimet e bardha të ditëve përbri të zezës së netëve. Ajo zgjedh zemrat njerëzore të dashnorëve por mohon martesën.

Jeta është një magjistricë
Që na gjunjëzon me bukurinë e saj.
Por ai që njeh dobësitë e tij
Do të dijë t’u largohet joshjeve të saj.

Përktheu: Met Gjergji

Përgatiti: ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Magjistarja”