Lasgush Poradeci: Se s’dashuronja – as un’ as ti…

vala poezi nga lasgush popradeci

Ku shtrohet vala përmbi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
Më pe më shpirt të llaftaruar.

Q’ahere silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë…
Dh’i shtinja sytë gjith përdhe –
Gjithë përdhe m’i shtinje sytë…

Po me t’u ndarë vet e vet,
Më s’kishim turp që s’kishte fjalë…
Na rritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:

E prapë silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.

Q’ahere qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar.

Se kish kuptim, që s’kish kuptim,
Kuptim’ i fellë – i mallit t’onë;
Se malli jon’ ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;

Se s’dashuronja – as un’ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri – një fshehtësi,
M’e fshehur sesa fshehtësija.

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Ku shtrohet vala”

—————————————————————–

Lexo edhe:

RRËFIMI I VEÇANTË I GRUAS QË U KUJDES 20 VJET PËR LASGUSH PORADECIN: TË PATHËNAT NGA JETA E POETIT…

Efigjeni Vako është ndër të paktët njerëz që e njeh poetin ndryshe. Ashtu siç nuk mund ta shihte askush brenda mureve të shtëpisë së varfëruar. Të uritur, të arnuar, të nevrikosur. Detaje të përditshme, të pathëna deri më sot nga jeta e Lasgush Poradecit, nga ajo që i shërbeu për më shumë se 20 vite e ai e trajtoi njësoj si të bijat.

Përveç të bijave, miqve të besës apo atyre “të dërguarve”, mikeshave të kohëve të fundit, e gjithë ç’kanë dalë deri më sot nga vitet e jetesës së Lasgush Poradecit në Pogradec, hynte e dilte me lirinë e askujt tjetër në kullën e tij edhe dikush tjetër. 

Tekstin e plotë e gjeni KETU