Letër e Kafkës dërguar Milenës: Nuk të dua aspak ty…

Milena Jesenska ishte e martuar kur, në vitin 1920, i shkroi Franz Kafkës një letër ku i kërkonte të përkthente një nga librat e tij. Ajo letër ishte pikënisja e një korrespondence sa filozofike, aq edhe pasionante.

Kafka vendosi t’i jepte fund marrëdhënies së tyre pasi Milena nuk pranoi të linte të shoqin.

Pas vdekjes së Kafkës, letrat që shkrimtari i kishte dërguar Milena ia dha Max Brod-it, i cili i botoi në vitin 1952 me titullin “Letra Milenës”. Por letrat që Milena i dërgoi Kafkës nuk u gjetën, me shumë mundësi ishte shkatërruar.

Më poshtë është një prej letrave që Kafka i ka shkruar Milenës:

(Pragë, 13 Korrik 1920)
E martë pak ma vonë


Sa e lodhur dukeshe nga letra e të shtunës në mbrëmje. Do të kisha shumë për të thënë për letrën, por një personi të lodhur nuk i them gjë sot; edhe vetë jam i lodhur, me kokën të rënduar dhe pa gjumë, në fakt, për herë të parë që prej mbërritjes në Vjenë.

Nuk do të të them asgjë, vetëm po të ul në karrige (ti thua që nuk më ke bërë mjaftueshëm të mira, por a ka shumë dashuri dhe respekt se sa thjesht të rrish me mua dhe të më lësh të qëndroj ulur përballë teje?) pra tani, po të ul në karrige dhe nuk di si ta përmbledh lumturinë me fjalë, sy, duar dhe me zemrën e gjorë, lumturinë që je këtu dhe je e imja.

Ndërkohë nuk të dua aspak ty, por më tepër, dua ekzistencën time të dhuruar përmes teje.

Sot nuk do të rrëfej asgjë për Laurinin, as për vajzën, e gjithë kjo do të marrë rrugën e vet, sa larg është e gjithë kjo.

F

Ajo që thua për “Muzikantin e varfër” është plotësisht e drejtë. Kur thashë se nuk më lë mbresë, e kisha nga kujdesi se nuk e dija se si do të reagoje, pastaj edhe ngaqë më vjen zor për historinë sikur ta kisha shkruar vetë dhe faktikisht nis gabim dhe ka një sërë gjërash të pasakta, qesharake, diletanteske, të stërholluara (sidomos e lexon me zë) dhe veçanarisht ajo mënyrë e të ushtruarit muzikë është një gjetje për të ardhur keq, tamam për ta yshtur vajzën, që në inat e sipër , ku përfshihet e gjithë bota, unë para së gjithash, t’ia vërtisë gjithë çfarë ka në dyqan historisë, deri sa historia, e cila nuk meriton më shumë, të shpërbëhet plotësisht.

Natyrisht, nuk ka fat më të madh për një histori se sa të zhduket, madje në këtë mënyrë. Edhe rrëfyesi, ai psikologu qesharak, do të jetë dakord me këtë, sepse ndoshta “muzikanti i varfër”, i cili luan në këtë histori në një mënyrë aspak muzikore, i falenderuar në mënyrë të ekzagjeruar nga lotët në sytë e tu, është vetë ai.

*Shkëputur nga libri i Franz Kafkës: “Letra e Milenës”

Përktheu: Marsela Likaj

Përgatiti: A. S.- ObserverKult


Franz Kafka

Lexo edhe:

INTERESANTE: FRANZ KAFKA NOVELËN E GJATË “VENDIMI” E SHKROI BRENDA NË NJË NATË TË VETME

Nga Milan Kundera

Franz Kafka, sipas asaj që ka thënë vetë, e ka shkruar novelën e gjatë Vendimi në një natë të vetme.

Pa ndërprerje medemek me një shpejtësi të jashtëzakonshme, duke e lënë veten të kaplohet nga një fantazi po kaq e jashtëzakonshme.

Shpejtësia, e cila u bë më vonë metodë programatike për surrealistët (“shkrimi automatik”). Kjo duke lejuar të çlirohej subkoshienca prej kontrollit të arsyes.

Dhe të shpërthente imagjinata, ka luajtur për Kafkën pothuajse të njëjtin rol.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult