Letër dashurie: O Zot, pse duhet të më largosh nga një dashuri kaq e madhe?

Letra e mëposhtme është një nga tri letrat që u gjend në një sirtar të Ludwig van Beethovenit pas vdekjes së tij. Kjo letër nuk u dërgua kurrë dhe identiteti i gruas me të cilën kompozitori kishte rënë në dashuri mbetet ende sot i panjohur.

7 korrik 1812

Në shtrat mendimet e mia janë vetëm për ty, dashuria ime e përjetshme; herë të lumtur, herë të trishtuar, në pritje që fati ta plotësojë dëshirën tonë. Mund të jetoj veçse me ty, me askënd tjetër… Po, kam vendosur të iki larg derisa të mundem të fluturoj në krahët e tu dhe të ndihem mirë pranë teje. Ta lë shpirtin tim, që mbështillet nga qenia jote, të hyjë në mbretërinë e shpirtrave. Kështu duhet të ndodhë… do të bindesh kur të njohësh besnikërinë time. Asnjë grua tjetër nuk mund ta pushtojë zemrën time, kurrë, kurrë, kurrë…

O Zot, pse duhet të më largosh nga një dashuri kaq e madhe? Jeta ime në Vjenë tani është e mjerë… Dashuria jote më ka bërë njeriun më të lumtur dhe më fatkeq në botë. Në moshën time, njeriu duhet të ketë një jetë monotone dhe të qetë, por a mund ta arrij këtë në gjendjen që jemi ne të dy?

Engjëlli im, tani sapo më thanë që posta punon çdo ditë dhe po e mbyll këtu që kjo letër të mbërrijë tek ty sa më shpejt…

Rri e qetë… Vetëm nëse arrijmë ta shohim kthjellët ekzistencën tonë mund t’ia dalim mbanë të jetojmë bashkë; rri e qetë; dashuromë në të tashmen; dashuromë në të shkuarën; sa nostalgji… sa dhembje për ty… për ty jeta ime… gjithçkaja ime…. lamtumirë… të lutem dashuromë dhe mos dysho kurrë tek zemra e të dashurit tënd besnik.

L.
Përjetësisht i yti.
Përjetësisht e imja.
Përjetësisht ne.”

Përktheu: Elona Caslli

LEXO EDHE: LETËR DASHURIE: DUA ZONJËN TIME, DUA ENGJËLLIN TIM, JOSHJEN TIME…